Arbëri

Inspektorati do të hetojë konkursin e gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) të shtunën ka njoftuar për krijimin e një ekipi që do të hetojë dhe inspektojë konkursin e gradimit për rreshter në Polici.

Më 4 maj u mbajt testi me shkrim për këtë konkurs. Ka pasur ankesa për shkelje të ndryshme nga kandidatët, të cilat i ka pranuar IPK-ja.

“Hetuesit e IPK-së fillimisht kanë analizuar dhe verifikuar informacionet fillestare për parregullsi në proces. Gjithashtu Kryeshefi i IPK-së Kushtrim Hodaj ka marrë vendim për krijimin e një ekipe të përbashkët inspektuese-hetuese për të hetuar dhe inspektuar tërë procesin e gradimit nga momenti i shpalljes deri në fazën aktuale”, thuhet në njoftim.

IPK-ja, siç thuhet në njoftim, varësisht nga të gjeturat do të ndërmerr “veprimet e nevojshme bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore”.