Pjesëtarë të njësisë elite të policisë i kanë ofruar dëshmi KOHËS, në të cilat shihen insekte në ushqime që ata konsumojnë. Policia nuk ka lejuar qasje në Kuzhinën e Njësisë Speciale, por pas një inspektimi që aty ka bërë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, është evidentuar edhe mish i dyshimtë për përdorim.
Ushqimi që servohet në kuzhinën e kampit të Njësisë Speciale të Policisë në Vrellë të Lipjanit, është i ekspozuar ndaj insekteve.
KOHA ka siguruar fotografi e video, në të cilat shihet miza në supën që parashihej ta hante njëri prej policëve në javën e dytë të tetorit.
KOHA ka bërë kërkesë për të parë nga afër kushtet në të cilat ushqehen zyrtarët policorë në këtë kamp. Edhe pas më shumë se shtatë ditësh, policia nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën.
Në një përgjigje me shkrim që Policia e ka dhënë rreth dy javë më parë, thuhet se nuk ka pranuar raportime të tilla deri tash.
Ndërkaq, pas pyetjeve që KOHA ka dërguar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, ky institucion ka kryer inspektime në kuzhinën e kampit të Njësisë Speciale dhe ka urdhëruar që të vendosen rrjeta në dritaret e hapësirave ku shërbehet ushqimi për policët.
“Në bazë të vlerësimit të ekipit inspektues ka rezultuar që kushtet e përgjithshme teknike, sanitare dhe higjienike janë të nivelit të pranueshëm ligjor. Janë dhënë vërejtje për vendosje të rrjetave në disa dritare që hapen në hapësirat e kuzhinës dhe ato shërbyese”, tha zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
Në këtë agjenci vlerësuan se ekzistojnë kushtet që në kuzhinën e Njësisë Speciale të ushtrohet veprimtari e gastronomisë, por treguan se kanë hasur në një sasi mishi që është vlerësuar si e dyshimtë për përdorim.
“Gjatë inspektimit është hasur një sasi e mishit të bluar, e cila sipas vlerësimit organoleptik, ka ndryshuar vetitë tipike të këtij produkti dhe si i tillë, duhet të asgjësohet. Kanë qenë 2.2 kg që janë asgjësuar në prezencë të inspektorëve”, tha Thaçi.
Kompania “Beni Dona”, e cila është e kontraktuar nga Policia për furnizim me ushqim, nuk është përgjigjur në thirrjet dhe pyetjet me shkrim të KOHËS, edhe pas më shumë se 14 ditësh.
Dyshime për ushqim jashtë standardeve që u shërbehet policëve, ka pasur edhe në të kaluarën.
Vitin e shkuar, KOHA ka raportuar për dyshimet për ushqim me afat të skaduar në kampin “Belvedere” në Mitrovicë.