Për t’u bërë shtetas të Kosovës, qytetarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës duhet të prezantojnë para autoriteteve dokumente valide të Serbisë. Por, mijëra sish nuk i kanë të tillat, si pasojë e politikës së pasivizimit të adresave që e aplikon Beogradi zyrtar. Me kërkesë të këtyre qytetarëve, Qeveria Kurti tani ka iniciuar ndryshime ligjore, që ua mundësojnë shtetësinë të gjithë atyre që kanë qëndruar në Kosovës së paku 5 vjet nga data 12 qershor 1999
Mijëra qytetarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që jetojnë në Kosovë, prej vitesh autoritetet e Serbisë i kanë larguar nga regjistrat civilë. Për pasojë, u është pamundësuar pajisja me dokumente. Kjo u është bërë pengesë edhe në rrugën për ta marrë shtetësinë e Kosovës, meqë në procedurë, Ligji mbi shtetësinë i kërkon të tilla dokumente.
Në Lëvizjen Vatra, e cila mbron të drejtat e qytetarëve të Kosovës Lindore, thanë se ligji është diskriminues. Kushtrim Kadriu, kryetar i kësaj Lëvizjeje, thotë se problemi është i moçëm.
“Ky problem nga viti 1999 e këndej, na ka përcjellë si kontingjent i banorëve të dëbuar nga Kosova Lindore, të cilët nuk janë pajisur me dokumente identifikimi, për shkak të ligjeve shumë burokratike dhe të ligjeve të cilat nuk kanë qenë në harmoni me realitetin dhe nuk janë ende në harmoni me realitetin”, thotë Kadriu. “Me mijëra shqiptarë të dëbuar nga Kosova Lindore nuk arritën të pajiseshin me dokumente identifikimi tash e 22 vjet, edhe pse jetojnë në Kosovë, edhe pse kanë krijuar shtëpitë, jetën dhe bizneset e tyre”.
Por, disa nga problemet e këtilla synohet të evitohen. Qeveria tashmë ka finalizuar draftin e një koncept-dokumenti, i cili sugjeron ndryshime në Ligjin mbi shtetësinë, me qëllimin që qytetarët e Luginës ta kenë më të lehtë marrjen e shtetësisë.
Dokumenti thekson si problem faktin se prej kohësh, këta qytetarë po përballen me çështje të mbetjes pa status të rregulluar ligjor, dhe pa dokumente personale identifikimi.
“Të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku 5 vjet nga data 12.06.1999 deri më datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të Shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë Koncept-Dokument, ndërsa sa u përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore”, sugjeron Koncept-dokumenti, me të cilin rekomandohen ndryshimet që duhen bërë në Ligjin mbi shtetësinë.
Çështja e adresuar në Koncept-dokument ishte një nga shumë kërkesat që në emër të Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu i ka përcjellë në mars te ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai thotë se sugjerime shtesë do të përcillen, përpara se Koncept-dokumenti të miratohet në Qeveri.
“Do të tentojmë të bëjmë propozime të cilat do t’ua lehtësojnë marrjen e nënshtetësisë qytetarëve të Kosovës Lindore, pasi që për ta është bërë jeta e padurueshme”, thotë Kadriu. “Tash e 22 vjet këta qytetarë nuk pajisen me dokumente, nuk mund të udhëtojnë jashtë Republikës së Kosovës, nuk mund të kenë prona, nuk mund të shkollohen, e besa edhe nuk mund të punësohen”.
Sipas raporteve të Vatrës, në dy dekadat e fundit rreth 20 mijë qytetarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci janë zhvendosur në Kosovë për arsye ekonomike, politike dhe të sigurisë.
KOHA ka raportuar se për ta marrë një letërnjoftim të përkohshëm në Kosovë, aktualisht ata që veç kanë dokumente valide të Serbisë, duhet t’i kenë në bankë 6 mijë euro.
Ky është njëri nga kriteret që u kërkohet ta plotësojnë për të marrë lejeqëndrim të përkohshëm apo të përhershëm.
E Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një përgjigjeje me shkrim, pati thënë se shuma e qarkullimit financiar është e caktuar.
“Njëri nga këto kritere është: ‘posedon mjete të mjaftueshme për jetesë’. Ky kriter është i përcaktuar me Ligjin 04/L-219 për të Huajt dhe me Vendimin për caktimin e shumës së mjeteve të mjaftueshme financiare për jetesë Nr.005/2020 të MPB-së pika 4.2. ‘Kategoria e ribashkimit familjar si tërësi në rastet kur shtetasi i huaj aplikon për ribashkim familjar me shtetasin e huaj i cili posedon lejeqëndrimi valid në Republikën e Kosovës, duhet të dëshmojë qarkullimin financiar vjetor gjashtë (6000) mijë euro në vit’. Ky vendim është marrë nga ish-ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, më datë 14.01.2020”, thuhej në përgjigje.
Por, në prill ministri Sveçla mori vendim që ta zvogëlojë shumën që studentët nga Lugina duhet ta dëshmojnë si qarkullim financiar për të studiuar në Kosovë në 500 euro, nga 2 mijë e 500 sa kishte qenë më parë.