Shumica e të rinjve nuk kanë njohuri se çka është dhuna seksuale, ngacmimi seksual dhe se nga cila moshë iu lejohet atyre për të hyrë në marrëdhënie seksuale.
Kështu thotë Valmira Morina, nga Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut, gjatë kohës që ka mbajtur ligjërata para nxënësve të shkollës ekonomike “Hoxhë Kadri-Prishtina”.
Është ky një projekt ku rreth 1000 nxënës do të mësojnë rreth moshës që u takon të hyjnë në marrëdhënie seksuale dhe kur nuk konsiderohet si vepër penale.
Morina tregon se një projekt i tillë ka qenë shumë i nevojshëm pasi kanë parë mungesën e informatave te të rinjtë.
Sipas saj, njëkohësisht ata plotësojnë edhe një pyetësor, nga i cili është kuptuar se në mesin e të ngacmuarve seksualisht, ka edhe djem.
Për këtë arsye, ajo shton se është shumë e nevojshme që në shkolla të hyjë si lëndë edhe edukimi seksual.
Nxënësit e klasave të 10-a dhe të 11-a thanë se nga këto ligjërata kanë mësuar shumë dhe se tani e dinë se çka konsiderohet ngacmim e çka dhunë seksuale.
E drejtoresha e shkollës thotë se mbajtjen e një ligjërate të tillë e ka kërkuar vetë ajo, pasi ka pasur raste kur nxënësit e kësaj shkolle janë ngacmuar seksualisht gjatë rrugës për në shkollë.
Përveç se në këtë shkollë, paralelisht ligjëratat u mbajtën edhe në “Gjingazull” e në dy shkolla të Lipjanit.