Një ditë pas konfirmimit të infektimit të një qytetari me virusin që shkakton sëmundjen e “Etheve të Nilit”, infektologu Hamdi Ramadani udhëzoi që të aplikohen masa mbrojtëse veçmas nga të sëmurët kronikë. Sipas tij, rastet e infektimit mund të rriten. E, qytetarët shprehën pritjen nga institucionet që të udhëzohen se si duhet mbrojtur.
Mjekët kanë paralajmëruar raste të reja infektimi me virusin që shkakton sëmundjen infektive të “Etheve të Nilit”, një ditë pasi pacienti i parë i prekur nga ky virus u diagnostikua në Kosovë.
Infektologu Hamdi Ramadani tha se masat mbrojtëse duhet të ndërmerren veçmas nga të sëmurët kronikë.
“Duhet të mbrohemi nga kjo sëmundje pasi që numri i rasteve me infeksion të këtij virusi nga mushkonjat mund të rritet ditët në vijim edhe më shumë sikur që po ndodh me vendet e tjera, ky virus te personat që kanë edhe sëmundje kronike, sëmundje të rënda ose imunitet të zvogëluar mund të shkaktoj vdekje, fatalitet”, tha Ramadani.
Virusi nuk përhapet nga njeriu te njeriu, por nga pickimi i mushkonjave, të cilat atë e bartin nga shpezë të ngordhura që mund të jenë të infektuara.
Konfirmimi i rastit të parë, nuk ka ngjallur panik te qytetarët. Disa nga ta kërkuan nga institucionet më shumë informacione për formën e mbrojtjes.
“Për këtë rast kam dëgjuar në media, nuk ka nevojë për panik është sëmundje që nuk besoj që mund të përhapet”, tha qytetari Kujtim Lushaj.
“Nuk besoj që mundet të ketë rritje të rasteve me këtë virus, por që duhet Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, të ofrojnë të dhëna se si duhet mu mbrojt na nga kjo sëmundje”, tha qytetari Mirsad Krasniqi.
E, infektologu Ramadani tha se në asnjë shtet nuk ekziston vaksinimi kundër sëmundjes infektive.
“Nuk ka ende vaksinë specifike ose efikase për ta neutralizuar personin nga kjo mushkonjë që infekton personat me virusin e Nilit. Duhet të bëhet dezinsektimi i atyre vendeve, në mënyrë që të mbyten mushkonjat që të luftohet kjo sëmundje”, tha Ramadani.
Një ditë më parë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, njoftoi se një person i moshës 59-vjeçare nga Fushë-Kosova, është konfirmuar me virusin që shkakton sëmundjen “Ethet e Nilit”.
Sipas IKSHPK-së, situata epidemiologjike është e qetë dhe përcillet me kujdes të shtuar.
Instituti ka apeluar te qytetarët që të ndjekin rekomandimet e dhëna për të parandaluar rastet me sëmundjen që përhapet nga pickimi i mushkonjave.