Në 3 ditët e para të 2022-s në Kosovë u konfirmuan 114 raste pozitive me COVID-19, derisa një person ka vdekur nga ky virus.
E në 24 orët e fundit, nga 3 mijë e 344 mostra të testuara, 38 nga to kanë rezultuar pozitive.
Derisa gjatë së martës, pritet që në Kosovë të arrijnë rezultatet e mostrave të dërguara në Gjermani për variantin Omicron, infektologët thonë se javët në vazhdim vendi do përballet me valë të reja infektimesh.
Hamdi Ramadani thotë se institucionet shëndetësore, do të duhet t’i ashpërsojnë masat dhe që qytetarët t’i zbatojnë ato në përpikëri.
“Është e rëndësishme që të kërkohet në ditët në vazhdim, të kërkohet certifikata e vaksinimit dhe ata persona që nuk e kanë certifikatën apo testin negativ, të u ndalohet futja e tyre në restauronte nëpër puna e nëpër kafiteri”, ka thënë Ramadani.
Sipas Ramadanit, qytetarët duhet ta marrin edhe dozën përforcuese në mënyrë që të mbrohen nga variantet e reja.
“Numri i qytetarëve në Kosovë që kanë marr dozën përforcuese është tepër i vogël, dhe masat duhet të jenë tepër shtrënguese dhe tepër të zbatueshme”, ka shtuar ai.
Në Kosovë, tashmë janë konfirmuar 9 raste të reja me Omicron, variant ky që po konsiderohet më shpërndarës sesa varianti Delta.
Por, në Izrael është detektuar rasti i parë në botë të sëmundjes “Florona”, sëmundje kjo e cila është infeksion i dyfishtë, COVID-19 dhe grip.