Arbëri

Incidenti me presidenten, Kosova notë proteste Maqedonisë së Veriut

Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Reagime të shumta ka nxitur incidenti i presidentes Vjosa Osmani të enjten, ku u raportua se ajo u shty fizikisht dhe pati tentativë për t’ia marrë telefonin nga sigurimi i aeroportit në Shkup. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe hetime për incidentin. E opozita shqiptare në MV ka fajësuar koalicionin qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE për lidhjet me Rusinë e Serbinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të premten i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të MPJD-së, presidentja Osmani është përballur me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gërvalla, sipas njoftimit, menjëherë pas incidentit e ka takuar mbrëmjen e së enjtes ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe po ashtu edhe të premten, për të kërkuar sqarime në lidhje me rastin.

“Gjithashtu, ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta institucionale. Në kuadër të veprimeve të ndërmarra, ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”, thuhet në njoftim.

Presidentes Vjosa Osmani, sipas njoftimit që është dhënë të enjten mbrëma nga Presidenca, është tentuar t’i merret telefoni nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit të enjten. Madje, siç thonë ata, Osmani është tentuar të shtyhet edhe fizikisht.

Presidenca e Republikës së Kosovës për publikun ka lëshuar edhe një deklaratë të premten ku shpreh indinjatën për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës.

“Në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale. Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Më tej nga ky institucion jepen sqarime për incidentin dhe përmenden praktikat ndërkombëtare. Sipas tij, pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e presidentes në përputhje me praktikat diplomatike.

“Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”, thuhet në sqarimin e Presidencës, duke hedhur poshtë pretendimet se presidentja kishte diçka të dyshimtë në çantën e saj.

“Jo vetëm se është një e pavërtetë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat shpunë te kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”.

Presidenca e Kosovës e konsideron jashtë çdo praktike dhe protokolli kërkesa për marrjen e telefonit dhe vendosjen e tij në skanerë.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident. Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës.

Incidenti me presidenten ka nxitur reagime edhe në Maqedoninë e Veriut. Partitë shqiptare që janë në pushtet shfajësuan veten, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkoi përgjegjësi ligjore e politike nga të përfshirët.

Koalicioni VLEN, pjesë e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut e ka hequr përgjegjësinë shtetërore për incidentin e së enjtes me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se nuk kanë kompetenca mbi sigurinë e aeroportit në Shkup. Brenda të njëjtit reagim, VLEN-i situatën e cilësoi si “keqkuptim” dhe akuzoi opozitën atje se po manipulon me rastin. Në reagimin e tyre thuhet se sipas Konventës së Vjenës, udhëheqësit shtetërorë kanë trajtim të veçantë gjatë udhëtimit, por detajet e protokolleve të sigurisë i përcakton koncesionari i aeroportit.

“Një keqkuptim i ngjashëm ka ndodhur edhe kur Talat Xhaferi ishte kryeministër teknik, pse BDI-ja nuk flet për këtë? Dhe e ftojmë BDI-në të përgjigjet nëse gjatë udhëtimeve të tyre kanë shmangur skanerat. Edhe një herë i bëjmë thirrje BDI-së të ndalojë përhapjen e manipulimeve dhe të ndalojë dëmtimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa opinionin e ftojmë të mos bie pre e propagandës së BDI-së”, thuhet në reagim.

Mesazh keqardhje për Osmanin, e kritikë për qeverinë maqedonase ka shprehur ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

“Kosovë, na fal! Nga zot shtëpie në qiraxhi, nga vendimmarrës në vasal, nga krenarë në puthadorë, nga dinjitozë në pakurrizorë, nga faqebardhë në faqezi, nga të ditur në injorantë, nga guximtar në frikacak, nga qeverisës në shërbëtorë, nga fitimtar në humbës, nga Evropa e Amerika në Rusi e Serbi, nga Ali Ahmeti në Ivan Stoilkoviq!”, ka shkruar Grubi.

Aleanca për Shqiptarët, për udhëhiqet nga Ziadin Sela e ka quajtur sulm skandaloz ndaj Kosovës incidentin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit.

“Kërkojmë urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksionojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokollet dhe konventat ndërkombëtare. Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës. Për ne ky rast nuk është një incident i thjeshtë, por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri te personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast”, thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.

Kompania e cila menaxhon me Aeroportin e Shkupit, TAV, në reagimin e saj ka thënë se siguria e pasagjerëve nuk është rrezikuar dhe se veprimet e tyre kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi.

Sipas tyre, edhe pasagjerët që udhëtojnë nëpër pjesën VIP janë gjithashtu subjekt i kontrolleve.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka konfirmuar nisjen e hetimeve.

Sipas tyre, tre persona nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, kanë shkuar aty “dhe kanë filluar t’i kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.

“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Por nga kabineti i kryeparlamentarit, Afrim Gashi, deklaruan se sigurimi i tij ka ndërhyrë “për ta qetësuar situatën”.

“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”, thuhet në reagim.

Lidhur me këtë çështje, “Koha” ka dërguar të premten pyetje në Aeroportin e Shkupit, por ka munguar përgjigjja.

LEXO EDHE:

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shpreh keqardhje për incidentin me Osmanin

8 muaj më parë / 2 gus 2024 22:24
Timco Mucunski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut

Timco Mucunski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka shprehur keqardhje për incidentin në të cilin është përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit të enjten në mbrëmje.

Në një komunikatë të lëshuar më 2 gusht (sot), Ministria e Jashtme ka theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim pozitiv e konstruktiv.

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës mbajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, me çështje të hapura dhe me dialog të sinqertë dhe të vazhdueshëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat. Në kontekstin e mëposhtëm shprehim keqardhjen për keqkuptimet e ndodhura gjatë ditës së djeshme, gjatë udhëtimit të Presidentit të Republikës së Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Jashtme që udhëhiqet nga Timco Mucunski ka thënë se pasi t’i mbledhë të gjitha informacionet do të marrë masat e nevojshme që raste të tilla të mos përsëriten.

“Kujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet përkatëse në lidhje me ngjarjen e djeshme. Pasi të bëhet analiza e duhur e të dhënave të mbledhura në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Brendshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen”, vijon komunikata.

Deri tash, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë pasur reagime të rezervuara për incidentin, pavarësisht kërkesës së Kosovës për kërkimfalje.