Në ditët e fundit të vitit shkollor, disa shkolla në kryeqytet kanë bërë improvizime me klasat në të cilat nuk mund të durohen temperaturat e larta që po mbizotërojnë në kryeqytet ditëve të fundit.
Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë ka thënë për emisionin “SOT” në KTV të merkurën se në javën e fundit për disa klasa e kanë shkurtuar orarin e mësimit, e për disa të tjera i kanë ndërruar ambientet për t’u larguar nga klasat në të cilat bien direkt rrezet e diellit.
Pos temperaturave të larta, Krasniqi ka thënë se problemi po shkaktohet edhe nga numri i madh i nxënësve në klasa.
Ajo ka bërë të ditur se së fundmi, shkolla ka fituar një donacion të klimave për një aneks.
Ka thënë se sivjet deri tash janë regjistruar 280 nxënës të rinj, ndërsa planifikimet maksimale janë deri në 320 nxënës.
Për zgjidhjen e problemit me numrin e nxënësve, ajo ka thënë se pritet të realizohet një aneks.