Ish-aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Imer Imeri, i ka rrëfyer para Gjykatës Speciale torturat që pretendon se ia kanë bërë zyrtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës.
Ai ka thënë të hënën se derisa po mbahej i ndaluar në Cahan të Krumës në Shqipëri prej 12 prillit deri me 20 qershor 1999, ishte rrahur tri herë dhe ishte alivanosur.
(Shenjat v.j )I kom të dukshme këtu në dorë edhe në krye. Kam dhimbje në dorë. Krahun nuk mund ta lëviz. Tre kilogram s’mund i çoj me këtë dorë e edhe mjeku e ka konstatuar që ndoshta një ditë do të përfundosh (ashtu) që mos mund me lëviz ma. Kam dhimbje në shpinë prej rrahjeve të mëdha, tri herë jam rrah që jam kanë i alivanosur. Jam kanë pa vetëdije që s’ma ka marrë menja që shpëtoj gjallë...Por gjithmonë me shpresë që Zoti do të më qesë para drejtësisë dhe ajo ditë erdh sot, ju falënderoj trupin gjykues dhe të gjithë të tjerët”, ka deklaruar ai para trupit gjykues.
Në pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, ai u përgjigj se ka qenë edhe pjesëtar i UÇK-së dhe ka status të veteranit, derisa tha se pjesëtarë të UÇK-së që nuk mund t’ua kujtojë emrat e ngacmuan meqë ishte pjesëtar i LDK-së.
“Nuk na ka kërcënuar askush por kemi qenë paksa të kritikuar si anëtarë të LDK-së”, tha dëshmitari.
(10:12) - Imer Imeri dëshmon në Speciale
Imer Imeri, aktivist i LDK-së gjatë luftës, ka nisur dëshminë të hënën në rastin më të madh të Gjykatës Speciale në Hagë.
Ai është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, derisa i konfirmoi deklaratat paraprake, por edhe në gjykimet e në rastin e Sabit Gecit dhe atë të Xhemshit Krasniqit.
Prokurorja Vega Iodice tha se Imeri është rrëmbyer në Kosovë nga pjesëtarët e UÇK-së në një kazermë në Shqipëri, është keqtrajtuar, më pas është mbajtur edhe në Prizren prej pjesëtarëve të UÇK-së.
Sipas prokurores Iodice në vendin ku po mbahej në Prizren kishte edhe serbë dhe romë.
Në prag të lirimit, sipas prokurorisë, pjesëtarët e UÇK-së i thanë Imerit të mos i tregonte askujt se çfarë ishte kishte ndodhur.
Dëshmitari Imeri tha se është mbajtur në Cahan të Krumës në Shqipëri prej 12 prillit deri me 20 apo 22 qershor 1999.