Arbëri

Imeri: BE-ja po i krijon Serbisë mundësi të vendosë parakushte

Një takim trepalësh nuk u arrit të mbahej të martën në Bruksel. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Dorajet Imeri, profesor i shkencave politike, ka thënë se Bashkimi Evropian po i përdor takimet e tilla sa për të treguar se dialogun Kosovë-Serbi e ka në agjendë të vetën.

“Palët janë me qëndrime të ndryshme, situata në terren nuk e favorizon një takim, BE nuk ka ndërruar mekanizma që do të mund të përafronte palët, madje kjo paaftësi e BE vetëm po e keqpërdor dialogun dhe po i krijon Serbisë mundësi të vendosë parakushte. BE i përdor këto takime sa për të treguar se e ka pjesë të agjendës, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që ka një person përgjegjës për këtë punë dhe që është i ngarkuar për t’i ftuar palët”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.

Sipas Imerit, “BE-ja ka dështuar në komplet dialogun”, ndërsa e ka kritikuar për qasjen ndaj palëve.

“Kosova duhet të zgjohet, duhet të arrijë të dëgjohet dhe të bashkëpunojë me partnerët sepse nuk është në pozicion të favorshëm në rrethanat ku jemi... Do të ishte mirë të koordinohet, por si të koordinohet me Francën që i shet 12 avionë bombardues Serbisë. Kush nuk është në NATO në Ballkan, është Kosova dhe Bosnja. Për çfarë të përdoren ata avionë? BE-ja është sponsori më i madh ekonomik që ka sot Serbia. Qasje më asimetrike sa kaq nuk mund të ketë”, është shprehur Imeri.

Kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë të martën se takimi trepalësh ka dështuar të ndodhë për shkak se Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”. Bislimi nuk ka treguar se çfarë ishin ato kërkesa, teksa Petkoviqi ka pretenduar se bëhej fjalë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.