Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, ka thënë se vetë Bashkimi Evropian është fajtor për dështimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Të hënën zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka thënë se përparimi i vogël në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është dështim i përfaqësuesit special për dialogun Miroslav Lajçak, por është dështim i palëve.
Por Imeri ka thënë se BE-ja është fajtorja kryesore për mungesë të rezultateve në dialog.
“Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë kur iu kanë besuar BE-së, është parashikuar që BE-ja është në gjendje me prodhu marrëveshje. Është supozuar se BE-ja ka mekanizmat e duhur institucionalë apo ndëshkues për t’i afruar palët drejt një zgjidhjeje. Nga viti 2011, kur kanë filluar këto negociatat e karakterit teknik fillimisht që më vonë kanë rrëshqitur në atë politik, gjithçka çka ka ndodhur, ka ndodhur për shkak të mënyrës se si BE-ja i ka pa ato, si i ka trajtuar palët dhe çfarë ka dashur të arrijë. Nëse është dikush fajtore për këtë mungesë rezultati është vetë BE-ja, e cila ka qenë pala për t’i lehtësuar këto negociata. Si ka lejuar BE-ja të hapet diskutimi i shkëmbimit të territoreve? Kjo është tërësisht jashtë objektivave të negociatave”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
E gjithë arritja në dialogut, sipas Imerit, ka ardhur falë Gjermanisë, Francës e SHBA-së. E kjo tregon, siç thotë Imeri, që BE-ja s’ka kompaktësi funksionale e është e pabarabartë në raport me Kosovën.
“E gjithë arritja është produkt i Gjermanisë dhe Francës, me ndihmën e SHBA-së. Kjo tregon se BE-ja është jashtëfunksionale. Dështimi më i madh i BE-së është se pesë vendet anëtare nuk e njohin e Pavarësinë e Kosovës. Nuk pritet diçka më shumë prej një strukture që s’ka kompaktësi funksionale. Nga fillimi, BE-ja ishte në anën e Serbisë. Parimisht, BE-ja ka qenë e pabarabartë që në fillim [duke marrë parasysh mosnjohjen nga pesë vendet e saj]. Ky dështim do t’i trokasë në derë BE-së. Dështim i procesit negociues cenon interesat strategjike të BE-së”, ka shtuar profesori.
Imeri është skeptik se Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhin mosmarrëveshje në të ardhmen e afërt.
“BE-ja është në kriza të thella. Asnjë sanksion të karakterit ekonomik ose ulje e mbështetjes ekonomike për Serbinë nuk kam pa. Nuk ka marrë asnjë vendim politik ndryshe. Nuk mund të kesh rezultate me veprime të njëjta”, ka deklaruar Imeri, duke shtuar se deri tash Kosovës u desh t’i largoheshin masat.
LEXO EDHE: