Ilaçet me substancë aktive të njëjtë, pacientët në Kosovë mund t’i gjejnë të prodhuara nga disa kompani a shtete. Por, varësisht nga prodhuesi, ato dallojnë në çmime, ndonëse efekti do të duhej të ishte i njëjtë. Për pasojë, një antikoagulant kushton diku 12 e diku tjetër 55 euro
“Rivaroxaban” është një antikoagulant që përdoret për të trajtuar dhe parandaluar mpiksjen e gjakut.
Këtë ilaç me substancë aktive të njëjtë, pacientët në Kosovë mund ta gjejnë të prodhuar nga së paku shtatë kompani të ndryshme në rajon.
E diferenca në çmim, nga prodhuesi në prodhues është e madhe.
KOHA bëri krahasimin e disa prej tyre duke iu referuar draftlistës së re të çmimeve me shumicë dhe pakicë të produkteve medicinale.
Një “Rivaroxaban” me dozë 15 miligramë, i prodhuar në Turqi, kushton 13 euro e 58 centë.
Gati trefish më shumë është çmimi i produktit të prodhuar në Maqedoni. Me po të njëjtën dozë, çmimi i këtij holluesi të gjaku është 40 euro e 73 centë.
Ndërkaq, 31 euro e 46 centë kushton produkti i prodhuar në Bosnjë, e 20 euro e 74 centë ai i prodhuar në Serbi.
Bazuar në këtë draftlistë të çmime të niveluara të barnave, produkti “Rivaroxaban”, i prodhuar në Slloveni, kushton 35.32 euro, kurse 44.50 ka çmimin po i njëjti nga një firmë tjetër gjermane.
KOHA ka analizuar çmimet e ilaçit në 10 barnatore. Disa prej tyre posedonin vetëm ilaçin e prodhuar në Turqi e disa vetëm atë në Serbi.
E, në ato barnatore që e mbanin produktin e prodhuesve të ndryshëm, çmimet variuan nga 12 euro deri në 55.
Situatë e ngjashme është edhe me një numër ilaçesh tjera.
Farmacisti Arianit Jakupi, i cili ka qenë kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe kryetar i Odës së Farmacistëve, përmend disa faktorë që ndikojnë në diferencën e çmimeve të barnave gjenerike.
“Sigurimi i substancave aktive dhe lëndëve ndihmëse të cilësisë më të lartë është një faktor i rëndësishëm që ndikon në çmimin final. Në tregun global ka prodhues të ndryshëm të këtyre substancave, edhe pastërtia, edhe kualiteti i tyre ndryshon. Lëndët e para më të pastra dhe me cilësi më të lartë kanë kosto më të lartë të prodhimit, duke rezultuar në një çmim më të lartë të barnave. Një pikë shtesë që ndërlidhet me ndryshimin e çmimit të barnave gjenerike mes tyre apo në mes të prodhuesve të ndryshëm përfshin: Konkurrencën dhe Efiçiencën e Prodhuesve”, ka thënë Jakupi. “Në tregun e barnave gjenerike, numri i prodhuesve dhe niveli i konkurrencës luajnë një rol të madh në përcaktimin e çmimit. Kur ka shumë kompani që prodhojnë të njëjtin bar gjenerik, konkurrenca e rritur çon në uljen e çmimeve”.
Sipas tij, rol kyç luan edhe siguria dhe efikasiteti i barit.
“Kostoja e sigurimit të cilësisë pas marketingut (apo pas aprovimit rregullator të autorizimit për marketing) – ndërlidhet me angazhimin e personelit (shpesh në numra të shumtë të tyre në prodhim dhe distribuim) që do të përcjellin aspektet e sigurisë së barit, cilësinë, efikasitetin, efektet e padëshirueshme, raportimet e ndryshme dhe komunikimet me autoritetet rregullatore, auditet e shumta, investimet në zinxhirin e prodhimit dhe distribuimit për përmbushjen e standardeve që vazhdimisht janë në rritje etj.”, ka thënë Jakupi.
Lidhur me arsyen e diferencës së madhe të çmimeve për barnat me të njëjtën përmbajtje, por që janë të prodhuesve të ndryshëm dhe rreth cilësisë së tyre, KOHA ka pyetur edhe në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, por nuk ka marrë përgjigje.