“Çdo ankesë të pranuar lidhur me shitjen online, Inspektorati Farmaceutik e realizon përmes Policisë së Kosovës me qëllim të ndaljes së këtij aktiviteti, ku merren masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi. Ka pasur 8 raste të tilla që janë trajtuar gjatë vitit 2023 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe janë marrë masa ndëshkuese konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit
“Ilaç për mushkëri, bronchitis, frymëmarrje, imunitet dhe peshë”, “pika për largimin e gurëve në veshka”, “ilaç për diabet dhe tension të lartë”, e “ilaç për lukth”, janë vetëm disa nga produktet që ofrohen online në faqe të ndryshme në rrjetet sociale e që kanë mijëra ndjekës.
Shitja e “ilaçeve çudibërëse” nxitet përmes ofertave, bli një e një tjetër merr gratis, e po ashtu edhe me transport falas. Përshkruhen benefitet pa ndonjë dokumentim, por nuk flitet për efektet anësore e as për përmbajtjen. Nuk jepet informatë as për vendin e origjinës.
Në Inspektoratin Farmaceutik kanë thënë që ndonëse shitjet online nuk hyjnë në domenin e tij, ankesat që kanë marrë rreth produkteve të tilla i kanë trajtuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
KOHA ka kontaktuar shumë prej këtyre faqeve, duke kërkuar informacione për përmbajtjen e produkteve, efektet anësore e vendin ku prodhohen. Pastaj nëse janë të regjistruara e të licencuara si produkte mjekësore në Agjencinë Për Produkte dhe Pajisje Medicinale si dhe nëse u janë nënshtruar ndonjë kontrolli laboratorik për cilësinë.
Pos asaj automatike brenda sekondëshe, asnjëra prej këtyre faqeve online nuk ka kthyer përgjigje. Në to shpjegohet mënyra e përdorimit e jepet garantim 100 për qind për efektivitet dhe cilësinë kualitative dhe kërkohen të dhënat si adresa e numri i telefonit për dërgim të porosisë.
Lidhur me qarkullimin e këtyre produkteve të prezantuara si mjekësore, KOHA ka nisur pyetje në Inspektoratin Farmaceutik, në Inspektoratin e Tregut dhe në Agjencinë e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale.
Në Inspektorat sqaruan se shitja dhe blerja online nuk hyn nën domenin e Inspektoratit Farmaceutik, përveç në rastet kur ato produkte janë të regjistruara nga Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Medicianale. E në raste të tilla, sipas Inspektoratit, njoftohet policia.
“Për çdo dyshim rreth reklamimit apo shitjes së produkteve dhe pajisjeve medicinale njoftojmë Policinë e Kosovës, sepse identifikimi i rrjeteve sociale, ‘Shitje dhe blerje online’, nuk hyn në domenin e hetimeve nga Inspektorati Farmaceutik, vetëm në raste kur kemi adresat e ndonjë subjekti të licencuar pranë AKPPM-së si Qarkullues Farmaceutik”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Farmaceutik.
Sipas Inspektoratit Farmaceutik, gjatë vitit 2023, në bashkëpunim me policinë janë identifikuar tetë raste të shitjes online.
“Çdo ankesë të pranuar lidhur me shitjen online, Inspektorati Farmaceutik e realizon përmes Policisë së Kosovës me qëllim të ndaljes së këtij aktiviteti, ku merren masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi. Ka pasur 8 raste të tilla që janë trajtuar gjatë vitit 2023 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe janë marrë masa ndëshkuese konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Përgjigje nuk kanë kthyer nga Inspektorati i Tregut a as nga Agjencia e Produkteve dhe Pajisjeve Medicinale.