Arbëri

IKSHPK: Po e përcjellim epidemiologjinë e lisë së majmunëve, s’ka vend për panik po për kujdes

Lija e Majmunit - Monkeypox

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të mërkurën e ka shpallur linë e majmunëve (Mpox) emergjencë globale për shëndetin publik, për herë të dytë brenda dy vjetëve.

Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se ky Institut dhe Ministria e Shëndetësisë po e përcjellin me vëmendje epidemiologjinë e Mpox që nga paraqitja e rasteve të para sivjet në kontinentin e Afrikës.

Në Republikën e Kosovës, thuhet se nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket Mpox dhe se “nuk ka vend për panik, por për kujdes”.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me OBSH-në dhe ECDC-në, për vlerësimin e rrezikshmërisë dhe rekomandimeve për masat që duhet ndërmarrë për sëmundjen në fjalë. Në laboratorët e IKShPK-së janë në dispozicion reagensët për testimin e rasteve të dyshimta! IKSHPK po monitoron situatën epidemiologjike në bashkëpunim me SHSKUK-në dhe konform situatës epidemiologjike në rajon dhe në botë, do të dal me njoftime të reja”, thuhet në njoftim. 

Tutje thuhet se profesionistët shëndetësorë rekomandohet të rrisin vëmendjen për simptomat e sëmundjes, ndërsa qytetarët këshillohen që të lajmërohen te mjeku nëse kanë dyshime apo simptoma të sëmundjes. 

OBSH-ja e ka shpallur Linë e Majmunëve emergjencë globale për shëndetin publik pas përhapjes së virusit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe në vendet fqinje, sikurse në Burundi, Kenia, Ruandë dhe Ugandë.

Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Afrikë ka thënë se vetëm këtë vit kontinenti i ka regjistruar 17.000 raste të infektimit të mpox dhe 517 vdekje.