Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje që të vaksinohen kundër fruthit, shytave dhe rubellës, në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse.
“Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, është shumë e rëndësishme që të siguroheni që fëmijët e juaj të jenë të vaksinuar me vaksinat MMR (fruthi, shytat dhe rubella)”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas Institutit, gjatë periudhës janar-mars janë regjistruar disa raste sporadike me fruth në Kosovë, derisa shtoi se vaksina mbetet mënyra më e sigurt për parandalimin e rasteve të reja.
IKSHPK-ja ka shtuar se fëmijët mund ta marrin vaksinën në çdo kohë, në qendrën e mjekësisë familjare nëpër komuna.
“Fëmijët të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë arritur që ta marrin vaksinën sipas Kalendarit të rregullt, mund të vaksinohen në çdo kohë, duke qenë se vaksina mund të jepet edhe pas moshës 6 vjeçe. Është e rëndësishme që fëmija ta kompletojë serinë e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës MMR, për ta siguruar mbrojtjen e plotë”, thuhet tutje.