Arbëri

IKD: Reforma në ndihmën juridike falas të bëhet përmes fuqizimit të mekanizmave aktualë

IKD

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD),të mërkurën ka publikuar analizën e Draftit të Koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike Falas. Në këtë analizë, IKD vlerëson se reforma në NJF duhet të bëhet përmes fuqizimit të mekanizmave aktualë, por duke e ruajtur pavarësinë e gjyqësorit.

Gjatë prezantimit të raportit, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se IKD si organizatë që ofron ndihmë juridike falas e ka parë shumë të rëndësishme që të japë kontributin e vet me qëllim që kjo fushë të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare, që u siguron mbrojtje efektive grupeve të margjinalizuara ku hyjnë individët me të ardhura të ulëta, minoritetet, viktimat e dhunës në familje dhe të tjerë.

Kurse, hulumtuesja e lartë dhe koordinatorja e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se IKD nuk e konteston nevojën për përmirësimin e sistemit të ndihmës juridike falas, por konsideron se një reformim strukturor siç propozohet në Draftin e Koncept-dokumentit, është i panevojshëm dhe mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e këtij mekanizmi kaq të rëndësishëm, me theks të veçantë për grupet e ndjeshme të qytetarëve të Kosovës.

Krahas kësaj, IKD ka paraqitur që unifikimi i përcaktuar sipas Strategjisë për Sundimin e Ligjit nuk nënkupton shkrirjen e mbrojtjes falas dhe ndihmës juridike dhe interferimin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF) në procedurë penale, duke kërkuar që ky term të mos nxirret nga kuptimi burimor i tij dhe infrastruktura ligjore në Kosovë.

IKD po ashtu ka kërkuar që reformimi i ndihmës juridike falas të përfshijë edhe çështjen e politizimit të ANJF, duke e cilësuar si të gabuar kalimin e ANJF-së në Ministrin e Drejtësisë.

“IKD ka rekomanduar që reformimi i ndihmës juridike falas të bëhet mbi bazën e një analize konkrete, të paanshme dhe të balancuar, duke marrë për bazë fuqizimin e mekanizmave aktualë. Sepse një opsion i tillë përveç se më lehtë i realizueshëm, më pak i kushtueshëm, do të mund të arrihej brenda një kohe shumë më optimale dhe nuk do të krijonte pasoja për përfituesit e ndihmës juridike falas, me theks të veçantë grupet e ndjeshme në vend”, thuhet në komunikatë./BetimipërDrejtësi