Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ka evidentuar numër të madh problemesh në procesin e zgjedhje së kryeprokurorit të Apelit. Ndërkohë që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorëve në pesë prokuroritë themelore (Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj) është vlerësuar i drejt e meritor.
Bazuar në gjetjet e raportit të IKD-së, me titull “Përzgjedhja e kryeprokurorëve - raport i monitorimit të procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të Prokurorisë se Apelit dhe kryeprokurorëve të pesë prokurorive themelore”, proceset e përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, ishin përgjithësisht të drejta, meritore dhe transparente.
Sipas raportit panelet vlerësuese aplikuan një qasje të barabartë ndaj kandidatëve dhe dallimet në poentime ishin brenda kufijve të vlerësimit të lirë.
Në lidhje me këto, gjetjet e raportit të IKD-së, vlerësojnë si problematike arsyetimin duke u referuar në performancën e kandidatëve. “Në disa raste, poentimi dhe arsyetimet e dhëna nga anëtarët e paneleve vlerësuese përfshinin vlerësimet e performancës së kaluar të kandidatëve, edhe pse këto janë kritere formale për t’u pranuar në garë dhe jo për të ndikuar në vlerësimin e kritereve për përzgjedhje të Kryeprokurorëve”, thuhet në raport.
Sipas gjetjeve të IKD-së, përdorimi i këtij kriteri paraqet vlerësim të dyfishtë derisa mos aplikimi i këtij arsyetimi tek të gjithë kandidatët paraqet një lloj pabarazie. Për këtë arsye, IKD në raport vlerëson se aplikimi i këtij kriteri duhet të shmanget në të ardhmen.
Sa i përket procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, IKD-ja ka evidentuar disa probleme. Fillimisht thuhet se IKD-ja ka evidentuar diskrepancë të theksuar në vlerësimin e kandidatëve nga anëtarët e panelit vlerësues, ku për të njëjtin kandidat, pikët për të njëjtat kritere ndryshonin ndjeshëm.
“Kjo krijoi perceptimin e preferencave personale të anëtarëve të panelit në raport me kandidatët për kryeprokurorë të Prokurorisë së Apelit. Tutje, sa i përket këtij procesi, IKD evidentoi se në një rast, njërit prej kandidatëve nuk iu parashtrua një pyetje e cila i ishte parashtruar të gjithë kandidatëve të tjerë. Derisa në një rast tjetër, në bazë të monitorimit, IKD vlerëson se një pyetje nuk ishte mjaftueshëm e qartë”, thuhet në raport.
Sipas raportit, procesi ishte përgjithësisht transparent, me përfshirjen e monitoruesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Megjithatë, panelet vlerësuese nuk siguruan qasje të plotë në arsyetimin e poentimit të dhënë, duke ofruar këto dokumente vetëm në shikim.
Sipas raportit sa i përket barazisë gjinore, pjesëmarrja e grave ishte shumë e ulët, ku nga 15 kandidatë, 5 prej tyre ishin gra dhe 10 ishin burra. Nga gjithsej gjashtë prokurori, vetëm në dy prej tyre pati kandidate gra derisa në katër prokurori të tjera gara zhvillohej në mes të burrave. IKD në raport rekomandon që në të ardhmen, KPK duhet ta adresojë këtë situatë në kuptim të nenit 4 të Ligjit për Barazi Gjinore.
Raporti është hartuar me përkrahje të Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe National Endoëment for Democracy (NED).