Arbëri

IKD: Neni që përcakton shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kundërshtim me Kushtetutën

IKD

Foto: Driton Paçarada

Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të raportit “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” ka thënëse neni 40 i projektligjit për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit, Avancimin dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku përcaktohen kushtet kur një gjyqtar dhe prokuror mund të shkarkohen nga detyra, është në kundërshtim me Kushtetutën.

“IKD ka gjetur se Neni 40 i projektligjit ku përcaktohen kushtet kur një gjyqtar dhe një prokuror mund të shkarkohen nga detyra, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht nenin 104.4 dhe nenit 109.6, ngase në këtë projektligj për shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve është caktuar kriteri edhe “nëse vërtetohet së kanë pasuri të pajustifikueshme”, kusht ky që me Kushtetutë nuk parashihet”, tha Kolaj.

Andaj, tha se Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon fshirjen e këtij neni.

Ai paraprakisht tha se edhe në Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit, Avancimin dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ministria e Drejtësisë është referuar në draft-amendamente të cilat ende nuk janë miratuar, pasi është vendosur kontrolli i pasurisë së pajustifikueshme si pjesë e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kolaj tha se Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka analizuar këtë Projektligj, ka përgatitë komente me të gjeturat dhe i ka dërguar të organet kompetente me kërkesë që të njëjtat të adresohen.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten, me përkrahje të Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Sundimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan dhe të National Endowment for Democracy (NED), publikoi raportin “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” (Problemet kushtetuese dhe ligjore të Projektligjit aktual).

Kolaj: Kompensimi për trajnimin fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve të përcaktohet me ligj, të qartësohet edhe statusi i tyre

Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), gjatë prezantimit të raportit “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve” (Problemet kushtetuese dhe ligjore me Projektligjin aktual), tha se çështja e kompensimit për trajnimin fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të përcaktohet me ligj.

Lidhur me kompensimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, Kolaj tha se Projektligji përmes nenit 8.3. ka përcaktuar se “Organizimi, kohëzgjatja, kompensimi, vlerësimi dhe çështjet tjera lidhur me trajnimin fillestar të gjyqtarëve dhe prokurorëve përcaktohen me ligj të veçantë”.

Kështu, sipas tij, ky nen nuk rregullon çështjen e kompensimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, por se rregullimin për këtë çështje e lëshon në nivel të këshillit.

“Nisur nga rëndësia kruciale që ka çështja e pagesës së kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, është e domosdoshme që pagesa për të njëjtit të përcaktohet në këtë Ligj. Përtej kompensimit, duhet të parashihet edhe statusi i kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, në mënyrë që të qartësohet se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e të njëjtëve gjatë fazës së trajnimit fillestar”, tha Kolaj.

Për këto arsye, hulumtuesi Kolaj theksoi se IKD i rekomandon MD-së që në kuadër të këtij projektligji të adresohet çështja e lartësisë së pagës apo kompensimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe statusi i tyre.

“Me këtë projektligj ndryshohet procedurëa e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, neni 6, 8 dhe 9 të këtij Projektligji, thotë se kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë do të përzgjidhen nga KGjK dhe KPK dhe vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses trajnimin fillestar propozohen për dekretim. Deri në atë periudhë të njëjtit do të kenë vetëm statusin e “kandidatit për gjyqtar apo kandidatit për prokuror”, tha Kolaj.

Sipas tij, në këtë projektligj nuk është paraparë që nëse ndonjë kandidat për shkaqe objektive nuk arrin ta përfundojë me sukses trajnimin fillestar që zgjatë 12 muaj. Për shembull: sëmundje, pushim, e të tjera.

Ai tha se IKD rekomandon që këto situata të adresohen në ndryshimet e reja ligjore.

Po ashtu, ai theksoi se lidhur me kompetencat e Presidentit për dekretim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet sqaruar çka nëse Presidentja nuk vepron brenda afatit të caktuar për dekretim dhe të shpjegohet çka kur ajo nuk bënë dekretimin dhe çka kur ajo hesht.

“Një gjetje tjetër e IKD-së është te kompetencat e Presidentit për dekretim të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku neni 9.4. i cili përcakton se “Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve, pas pranimit të propozimit, nxjerrë Dekret për emërimin në detyrë të gjyqtarit, gjegjësisht prokurorit, të kandidatit të propozuar nga Këshilli përkatës” derisa paragrafi 5 i këtij neni përcakton se “nëse brenda afatit nga paragrafi 4, Presidenti nuk e emëron gjyqtarin ose prokurorin, Këshilli përkatës mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj Presidenti emëron gjyqtarin ose prokurorin sipas propozimit të këshillit”, u shpreh Kolaj. /BetimiPërDrejtësi