Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se letra e dorëzuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes.
Deputetët e legjislaturës së nëntë të martën nuk përkrahën raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Sipas partive që deri tash ishin në opozitë, kërkesë është që anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para se të bëhen deputetë. Kjo është kundërshtuar nga VV-ja që ka thënë se anëtarët e saj tashmë janë dorëhequr.
E sipas IKD-së e gjithë kjo u krijua si rezultat i “mosrregullimit adekuat” të Ligjit për Qeverinë.
“Tutje, IKD ka theksuar vazhdimisht se në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputet”, thuhet në komunikatën e IKD-së. “Letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlen për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet”.
Sipas IKD-së, kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit si deputet.
“Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por se nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon tek zv. Kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëheqen nga zv. Ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast, ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën”, thuhet në reagim të IKD-së.
IKD-ja ka thënë se letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë e të mos lejojë hapësira për interpretime e se ajo nuk duhet t’i dorëzohet ish-kryetarit Glauk Konjufca, por kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.
