Instituti i Kosovës për Drejtësi ka gjetur se Kuvendi i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka dështuar t’i zbatojë disa nga aspektet kyçe për funksionim të mirëfilltë, në pajtim me Kushtetutën dhe me kërkesat ligjore e të Rregullores së Kuvendit.
Hulumtuesi i lartë nga IKD, Naim Jakaj, ka thënë se puna e këtij institucioni është karakterizuar nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrja e kundërligjshme e nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së Kuvendit.
Gjatë prezantimit të raportit me titull “Kuvendi i Dështimeve”, Jakaj tha se puna e Kuvendit, është përcjellë edhe nga gjuhë joparlamentare, gjuha seksiste, raciste, mizogjene dhe gjuha homofobe, në ndërkohë se gjatë vitit 2023 përfaqësuesit e qytetarëve u përplasën fizikisht gjatë punimeve në seancë plenare.
Jakaj ka theksuar se, Kuvendi ka zhvilluar punime pa planifikim adekuat, ku në krahasim me vitin paraprak, Kryesia e Kuvendit kishte autorizuar draftimin e planeve për sesione, këtë vit, një propozim i tillë nuk u diskutua fare.
“Kjo për pasojë pati edhe fenomenin e vazhdueshëm të mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës, mosefikasitet që u bartë nga një vit në tjetrin”, tha Jakaj.
Sipas tij, Kuvendi e nisi vitin 2023 me tetë seanca plenare të papërfunduara nga vitit 2022, me gjithsej 54 pika të rendit të ditës, në ndërkohë viti 2023 u përmbyll me 30 pika të papërfunduara të cilat u bartën në vitin 2024.
Ndërsa, në anën tjetër, sipas Jakajt, ky mosefikasitet prodhoi 39 vazhdime të 23 seancave të rregullta të cilat nuk arrinin të përfundonin në kohë për arsye të mungesës kronike të kuorumit, fillimisht nga shumica parlamentare, e më pas edhe nga mungesa e deputetëve thirrës të këtyre seancave, kryesisht opozitës parlamentare.
IKD po ashtu ka gjetur se gjatë vitit 2023, Kuvendi keqpërdori mekanizmin e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës.
Sipas raportit, Kuvendi i Kosovës nuk ka dhënë vërejtje publike për kabinetin qeveritar kur u shpërfillën kërkesat e deputetëve. Thuhet se Qeveria e Kosovës ka injoruar Kuvendin te pyetjet parlamentare për përgjigje me gojë, te komisionet hetimore dhe te debatet parlamentare për të dhënë përgjegjësi për punën e vet kushtetuese dhe për programin qeverisës të cilin e ka shpalosur para deputetëve në mars të vitit 2021.
Përgjithësisht, sipas Jakajt, gjatë vitit 2023 IKD ka gjetur se pyetjet parlamentare kanë qenë shpesh të paefektshme si një mjet për Kuvendin që ta mbajë qeverinë përgjegjëse.
“Qeveria dhe deputetët ndërhynë në drejtësi me deklaratat që bënë”
Naim Jakaj, hulumtuesi i lartë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten gjatë prezantimit të raportit me titull “Kuvendi i Dështimeve” tha se Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta shqyrtojë dhe miratojë Kodin Etik të Kuvendit.
“IKD, gjen se Komisioni për Legjislacion, përkundër formimit të grupit punues për hartimin e Kodit Etik, ai ende nuk ka dorëzuar formalisht në komision këtë kod për ta shqyrtuar dhe proceduar në Kuvendin e Kosovës”, tha Jakaj.
Sipas tij, IKD ka gjetur se gjatë vitit 2023, Qeveria dhe deputetët në disa raste ndërhynë në drejtësi duke bërë deklarata publike dhe duke sulmuar drejtues të organeve të drejtësisë.
Shtoi se gjatë vitit 2023 Kuvendi ka vazhduar të përballet me mungesë të thellë të transparencës.
Mungesë kronike e kuorumit, IKD: Pushteti arrogant me opozitën
Hulumtuesi i lartë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka thënë se në lidhje me aktivitetin legjislativ, Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2023 u përshkrua me mungesë kronike të kuorumit në Kuvend.
“Në lidhje me aktivitetin legjislativ, ai u përshkrua nga mosefikasiteti i Kuvendit në miratimin projektligjeve dhe pikave të tjera të rendit të ditës, përgjithësisht, ndikim pati mungesa kronike e kuorumit që në shumicën e rasteve u shkaktua nga deputetët e shumicës parlamentare, veçanërisht te projektligjet ku kërkohet shumicë e thjeshtë e votës”, tha Jakaj.
Në anën tjetër, ai ka theksuar se edhe këtë vit, përveç në masë më të madhe, u shfaq fenomeni i mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat në procesin e vendimmarrjes nuk merrnin pjesë deputetët e opozitës parlamentare.
Sipas tij, shumica parlamentare në vazhdimësi është treguar arrogante sa i përket bashkëpunimit me deputetët opozitarë për miratimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore Vjetore për vitin 2024.
Po ashtu, IKD ka gjetur se me rastin e procedimit të këtij projektligji asnjë nga 54 amendamentet e propozuara në buxhetin vjetor të parashtruara nga deputetët e opozitës nuk janë votuar. /BetimipërDrejtësi