Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se ka raporte shqetësuese për hakmarrje ndaj sinjalizuesve në rastet kur ata kanë guxim personal dhe profesional për të raportuar shkeljet në sektorin publik apo atë privat.
Sipas raportit “Përmbushja e premtimit për sinjalizuesit”, që të mërkurën është publikuar në një tryezë diskutimi të organizuar nga IKD-ja, Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve në praktikë pothuajse nuk vërehet fare.
Gjatë prezantimit të raportit hulumtuesi i IKD-së, Florian Smajli, ka thënë se prej pesë vjetësh që kur ligjit ka filluar zbatimi i Ligjit ende nuk ka pasur një rast konkret të suksesshëm të sinjalizimit që do të shërbente si shembull për rëndësinë e tij.
Në komunikatën e IKD-së thuhet se gjatë prezantimit të raportit u tha se ka shkelje të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në lidhje me detyrimet që përcaktohen për institucionet publike, subjektet private, si dhe rregullatorë sipas fushës ku bëhet sinjalizimi.
“Në bazë të ligjit, këto institucione duhet të përgatisin një raport vjetor për rastet e sinjalizimit për vitin paraprak dhe këtë raport duhet t’ia dorëzojnë APK-së. Por në bazë të hulumtimit dhe diskutimit në fokus grup, rezulton se ky detyrim nuk ndodh, siç e parashikon ligji”, citohet të ketë thënë Smajli.
Gjatë prezantimit thuhet se janë përmendur edhe sfidat që pengojnë në zbatimin e Ligjit.
“Ato kryesisht kanë të bëjnë me përzgjedhjen e zyrtarit përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit, brenda institucioneve publike. Mungesa e kuptimit të rëndësisë së kësaj procedure bën që institucionet të neglizhojnë informimin e stafit të tyre për procedurën e sinjalizimit dhe se kujt do të duhej t'i raportojnë këto raste. Në disa situata, stafi nuk informohet as për ndryshimin e zyrtarit përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e këtyre rasteve. Kjo mund të çojë në situata ku raportimet u bëhen individëve të cilët nuk janë kompetentë. Kurse, një pjesë e sfidave kanë të bëjnë me frikën e zyrtarëve nga hakmarrja e punëdhënësve”, thuhet në komunikatë.
Në panel për të diskutuar për këtë raport thuhet se ka marrë pjesë drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj,
“Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, gjatë diskutimeve të këtyre sfidave, mes tjerash tha zyrtarët për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, jo gjithmonë kanë përgatitje shkollore e profesionale për këto raste. Po ashtu, ai tha se sfidë tjetër që siç tha ai ka qenë në të kaluarën e që vazhdon të jetë ende është ajo se a është në interes të publikut sinjalizimi apo jo. Ndërsa, shtoi se pajtohet me gjetjet e raportit të IKD-së, si në atë që sinjalizimi i brendshëm është rruga e duhur e të cilën tha se e preferojnë edhe si Agjenci për shkak që edhe qëllimi i Ligjit është të parandalohen mundësitë për të keqpërdorë funksionet publike”, thuhet në komunikatë.
Avokati Yll Zekaj, citohet të ketë thënë se mbrojtja ligjore për sinjalizuesit ende çalon në aspektin praktik, pasi sipas tij aspekti legjislativ është mirë i rregulluar. “Megjithatë, sipas tij në sektorin publik është një gjendje më e avancuar, në krahasim me sektorin privat. Ai shtoi se organi kompetent për sinjalizimet e jashtme te sektori privat (Inspektorati i Punës), duhet të ketë një numër më të madh të inspektorëve të punës. Mes tjerash, ai tha edhe se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të shikojë mundësitë që në kuadër të trajtimit të lëndëve t’iu japë prioritet rasteve të sinjalizimeve”, thuhet në komunikatë.
Zyrtari përgjegjës për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit në KEK, Labinot Sadiku, citohet të ketë thënë se nga rastet e sinjalizimeve, tri janë dërguar tek organet e hetuesisë dhe se janë edhe 100 procedura disiplinore që janë bërë ndaj punëtorëve të KEK-ut, të cilët kanë bërë shkelje ligjore qoftë të keqpërdorimit të prezencës në punë, qoftë të keqpërdorimit të menaxhimit të kontratave, qoftë të mosrepsektimit të Ligjit të Prokurimit, e të tjera. “Sipas tij, të gjitha rekomandimet të përgatitura përmes raporteve implementohen, e që beson se kjo është njëra ndër arsyet që kanë një numër të madh të sinjalizimeve”, thuhet në komunikatë.