Arbëri

IKD-ja i quan “problematike” deklarimet e Haxhiut për ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës

Gzim Shala

Gzim Shala

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka konsideruar se deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës janë të pamatura dhe problematike.

Ministrja Haxhiu të martën u intervistua për ditën e dytë me radhë nga Prokuroria Speciale pasi pati pretenduar ditë më parë përmes një statusi në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës – e mes të arratisurve ishte edhe Faton Hajrizi – janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia. Ajo gjithashtu u intervistua për një deklaratë që ka dhënë për mediat, në të cilën ka thënë se disa gjyqtarë e prokurorë i kanë bërë ftesë të takohen.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Shala ka thënë se është shqetësuese mënyra se si është trajtuar kjo çështje.

“Ajo deklaratë është shqetësuese veçanërisht nga përmbajtja e saj dhe është shqetësuese mënyra se si është trajtuar. Nëse ka dyshim të tillë se një shtet armiqësor si Serbia po ndërhyn në burgjet e Kosovës, kemi të bëjmë me një nivel serioz të cenimit të sigurisë publike të Kosovës dhe për këtë arsye, ministrja është dashur që këtë çështje ta adresojë brenda kompetencave që ka. Nëse kompetencat e saj nuk mjaftojnë për ta trajtuar atëherë duhet të bashkëpunohet me institucione të tjera, ta raportojë në Prokurorinë e Shtetit e të tjera. Është një lajm serioz lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Shala ka pasur kritika për mënyrën se si ministrja Haxhiu e ka publikuar informacionin. Sipas tij, kjo ndikon në nivelin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.

“Një aspekt tjetër që është problematik është publikimi i këtij dyshimi. Nuk ka mënyrë se si mund të trajtohet një informacion të tillë përmes publikimit në Facebook. Interesi i publikut nuk është thjesht informimi. Para se të jetë informimi është siguria e tyre kombëtare. Është problematike që qytetarët e shohin ministren duke thënë se në qendrat korrektuese po ndërhyn Serbia. Në këso raste edhe qytetarëve u krijohet pasiguri në raport me institucionet. Janë deklarata jashtëzakonisht të pamatura dhe problematike dhe se si trajtohen. Publikimi i këtij informacioni në publik e minon edhe hetimin për atë se çka ndodhur”, ka theksuar ai.

Shala ka thënë se Prokuroria Speciale e ka obligim t’i zbardhë deklaratat e ministres. Nëse pas hetimeve del që deklarimi nuk ishte i vërtetë, siç ka thënë Shala, ministrja Haxhiu mund të përballet me përgjegjësi penale për “deklarim të rremë”.

Ai ka thënë se nuk e kupton pse Haxhiu ka hezituar që këto informacione fillimisht t’i raportojë në Prokurorinë Speciale.

“Sipas informatave që kam, Prokuroria nuk e kishte para vetes një rast të dyshimit të ndikimit të Serbisë në burgjet e Kosovës. Nuk e kuptoj hezitimin e ministres për ta raportuar rastin së pari në Prokurorinë Speciale. Është e pakuptueshme. Nuk mund ta gjejë një arsye të vetme që e justifikon atë që bëri ministrja e Drejtësisë”, ka përfunduar Shala.