Arbëri

Identifikohen përgjegjësit për sulmin terrorist – arrestohen 8 të dyshuar

Xhelal Sveçla

Infrastruktura kritike e Kosovës ka përjetuar sulmin më të madh terrorist, që nga paslufta. Pasi në veri, kanali i Ibër-Lepencit është goditur me eksplozivë, autoritetet e kanë rivendosur rrjedhën dhe kanë parandaluar kolapsin energjetik. Policia, ndërkaq, ka siguruar prova dhe ka arrestuar disa nga të dyshuarit. Kryeministri Albin Kurti e fajësoi Serbinë për sulmin

Disa orë pas sulmit terrorist me eksplozivë në kanalin e Ibër-Lepencit, autoritetet e sigurisë kanë kapur materiale dhe kanë arrestuar të dyshuar që synuan ta godasin infrastrukturën kritike të shtetit.

Paralelisht me punën e ekipeve në terren për t’i evituar pasojat nga dëmi, policia ka bastisur disa shtëpi në Varagë të Zubin-Potokut.

Për rezultatin e aksionit, foli fillimisht kryeministri Albin Kurti, i cili e vizitoi vendin ku ndodhi shpërthimi në orët e vona të së premtes së bashku me shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha dhe kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes së Ibër-Lepencit, Faruk Mujka. 

“Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti e fajësoi Serbinë për sulmin duke thënë se me qëllim është synuar dëmi maksimal.

“Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes nuk ka mundësi që këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjnë qytetarët e zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është profesioniste për veprime të tilla terroriste dhe aftësinë, kapaciteti, interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, ka thënë ai.

Ka fajësuar Serbinë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, ka folur për aksionin pas sulmit terrorist.

“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike, janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media, që është organizuar në kampin e policisë në Mitrovicë.

Sveçla e ka cilësuar shpërthimin me eksploziv në Zubin-Potok si sulmin më të rënë ndaj infrastrukturës kritike, që nga paslufta.

“Ky sulm terrorist s’është vetëm një sulm i rëndomtë, por i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimizohet dëmtimi ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë ai.

E drejtori Hoxha, ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si “sulme terroriste” që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës. Ai ka thënë se të arrestuarit mund të kenë lidhje me kryeterroristin Milan Radoiçiq, porse ka shtuar se mbetet punë e hetuesisë për të konfirmuar rolin e secilit të arrestuar.

Drejtori i Policisë tregoi se gjatë bastisjeve që kanë ndodhur të shtunën, janë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion i kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

Ndërsa në një bastisje të ndarë në Zveçan, Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi, 2 AK47, 3 revole, 1 armë gjuetie, 2 armë rekreative, 6 karikator të AK47, municion e uniforma ushtarake.

Hoxha ka dhënë detaje edhe për aksionin dhe eksplozivin e përdorur për shpërthimin në Ibër-Lepenc.

“Këto raste të sulmeve terroriste, e posaçërisht rasti i fundit – sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike – për nga mënyra e ekzekutimit dhe realizimit të tyre, por edhe identifikimit dhe shënjestrimit të caqeve të sulmeve, është e qartë se kemi të bëjmë me një grup mirë të organizuar që ka njohuri dhe shkathtësi në përdorimin e mjeteve shpërthyese. Në bazë të hetimeve intensive të ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe njësitë e saj relevante, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm, përkatësisht nxitës të akteve të dhunës, organizatorë apo ekzekutorë të këtyre sulmeve terroriste, e posaçërisht të sulmit të fundit”, ka thënë Hoxha. “15 deri në 20 kilogramë eksplozivë ka qenë i vendosur në çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, ka thënë ai.

Ministri Sveçla ka përgëzuar policinë për punën, dhe ka thënë se Kosova është duke u treguar e suksesshme përballë qëllimit të Serbisë që të fusë në veri sa më shumë armë, municione e uniforma, për të organizuar rezistencë si në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, vitin e shkuar.

“Të gjitha këto, patjetër se kanë një adresë të vetme. Shumica absolute e prodhimeve janë serbe. Një pjesë e madhe e tyre janë pajisje ekskluzivisht ushtarake të cilat nuk gjenden lehtë as në tregun e zi, e të mos flasim për treg legal”, ka thënë Sveçla. “Eksplozivi i përdorur mbrëmë, është një material i cili pothuajse e pamundur të gjendet përveçse nuk është i furnizuar drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë”.

Krahas autoriteteve të sigurisë, menjëherë pas sulmit, janë aktivizuar edhe ekipet e emergjencave. Ato kanë arritur ta rivendosin rrjedhën në kanalin e Ibër-Lepencit, nëpërmjet të cilit një pjesë e komunave furnizohen me ujë për pije, e nga i cili varet edhe funksionimi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Ferronikelit dhe Termokosit.

Masa të forta sigurie janë ndërmarrë në vendin ku makineritë vazhduan punën, për t’i sanuar dëmet nga sulmi.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes së Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, tha se sanimi i plotë i kanalit do të marrë kohë.

“Gjendja është stabile, mirëpo duhet ta dini që kjo është situatë emergjente. Kjo është situatë për t’i dalë në ndihmë KEK-ut. Kur them KEK-ut, i bie ekonomisë dhe gjithë amvisërisë së Republikës së Kosovës. Për momentin, problem kemi... Duhet pasur një bashkëpunim me ujësjellësit regjional, këtë rast Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë në mënyrë që këtë ujë që e disponojmë ta shfrytëzojmë racionalisht dhe sipas orarit të caktuar”, ka thënë Mujka. “Jemi shumë të kënaqur me intervenimin tonë të mbrëmshëm me një organizim dhe mobilizim të shpejtë, të cilën me siguri ata që e kanë bërë këtë dëm apo këtë akt terrorist nuk e kanë pritur”.

Gjatë ditës, KEK-u bëri të ditur se furnizimi me energjinë elektrike në të gjithë vendin është stabil, pavarësisht shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili ftohen termocentralet A dhe B. Po kështu, janë bërë të ditura edhe veprimet e marra, në funksion të evitimit të një kolapsi energjetik.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit”, thuhet në njoftim. “KEK po vazhdon të operojë me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A, të cilat nuk janë prekur nga mungesa e ujit nga kanali. Po ashtu, në rast nevoje, KEK ka siguruar kapacitetin prej 150 MË nga KESH, i cili do të shfrytëzohet për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike”.

Forca detonuese nga shpërthimi ka lënë pasoja edhe në disa objekte banimi, ndërsa nga devijimi i rrjedhës së ujit është vërshuar një shtëpi.

Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, tha se sulmi  ka mundur t’u kushtojë me jetë njerëzve.

“Dame në njerëz do të thotë nuk ka. Ka dame materiale, shtëpia.... uji ka hi brenda dhe një grua ka dalë për dritares, ka arrite të dal mbrëmë pas sulmit dhe u informova prej asaj se fillimisht kanë dëgjuar shpërthim të madh do të thotë këtu dhe më pastaj ka vërshu uji dhe është rreziku, do të thotë edhe jeta e qytetarëve kësajde”, ka thënë Zeqiri.

Në vendin ku ka ndodhur sulmi me eksplozivë, përveç Policisë janë paraqitur edhe ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it. Makineri të shumta të të dyja misioneve kanë lëvizur gjatë gjithë ditët në rrugët që çojnë te fshati Varagë e Zubin-Potokut.

Në tri ditët e fundit tri sulme kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan. E më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, të premten ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten.