Arbëri

Identifikimi i mbetjeve në Leshan do të zgjatë tre muaj

Edhe në ditën e dytë të gërmimeve, në Leshan të Suharekës u gjetën disa mbetje kockore e rroba, që dyshohet të jenë të një personi të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Për identifikimin e tyre do të duhen rreth 3 muaj.

Genc Kryeziu, që kishte ardhur nga Gjermania, po e vizitonte të mërkurën varrin e babait të tij, të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Karshi këtij varri, në Leshan të Suharekës po gërmohet për mbetje mortore të të pagjeturve. Gërmimet, që kanë nisur një ditë më parë, kanë vazhduar edhe të mërkurën.

Kryeziu ka thënë të jetë i habitur se si janë dashur 23 vjet për një gjë të tillë.

“Unë vij nga Gjermania, jam këtu për vizitë, për të përshëndetur, si dhe për ta larguar mallin. Këtu të gjithë janë të vrarë gjatë luftës”, ka thënë ai, duke drejtuar gishtin kah varret.

Ai tregon se babai i tij ishte civil i vrarë.

Me sytë e kthyer gjatë tërë kohës kah vendi në të cilin po kryheshin gërmime, Kryeziu, që për një kohë kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se një gjë e tillë po i sjell ndjenjë të keqe, duke ia kthyer të kaluarën.

“Nuk e di, tash pas 23 vjetësh të ketë gërmime, kështu të gjendet, po na kujtojnë keq do ndjenja”, është shprehur ai.

Ekipet e autorizuara për gërmimin e mbetjeve mortore e të krimeve të luftës në detyrë ishin që nga mëngjesi i së mërkurës. Madje, edhe perimetri i sigurisë ishte zgjeruar, për shkak se dyshohej se mbetjet ishin shpërndarë në më shumë se një vend. Në kërkim të mbetjeve mortore, në Leshan ishin të angazhuar ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, zyrtarë të Komisionit për Persona të Zhdukur nga Njësiti për Krime Lufte në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe zyrtarë të EULEX-it. Të mërkurën ata gjetën rroba, që i kishin mbijetuar kohës.

Antropologu Ditor Haliti ka thënë se, sipas dyshimeve, të gjitha mbetjet i përkojnë vetëm një personi, por për të kuptuar se kush ishte i varrosur aty, duhen rreth 3 muaj kohë, për shkak se analizat dërgohen në Holandë.

“Sot jemi duke gjetur akoma mbetje, pjesë kockore, të cilat tani për tani mund të themi që akoma i takojnë një individi dhe puna është duke vazhduar, tash të shohim në vijim se a do të kemi gjetje shtesë, si dhe se a do të kemi nevojë të kthehemi në këtë pjesë. Ka pasur edhe mbetje kockore, edhe rroba”, ka treguar Haliti.

Të paktën njëzet persona u vranë në Leshan gjatë luftës, përfshirë edhe persona nga fshatra të tjerë, tregon kryetari i këtij fshati, Zgjim Gashi.

“Po sipas dyshimit tash këta mjekë edhe policia, e EULEX-i janë duke e bërë punën e tyre, ne vetëm po dyshojmë që janë të fshatit tonë, kemi fshatin Tërrne këtu afër, edhe ata kanë të pagjetur, kemi edhe fshatin Retijë, që janë dy persona të pagjetur e që kanë qenë këtu në Leshan”, është shprehur ai, duke treguar se para luftës në këtë fshat ka pasur edhe banorë serbë.

Gjatë majit, në kërkim të varreve masive është gërmuar në afërsi të minierës në Shtaval në territorin e Serbisë, punime që u ndërprenë nga Komisioni i Serbisë, duke mohuar se aty janë varrosur të vrarët gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë vitit 2021, institucionet kosovare në bashkëpunim me ato serbe dhe misionin e EULEX-it kryen gërmime në 9 lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, të cilat rezultuan me gjetjen e mbetjeve mortore të 24 personave, që më pas iu dorëzuan familjarëve të tyre.

Edhe 23 vjet pas luftës, në Kosovë rezultojnë ende të zhdukur mbi 1 mijë e 600 persona, emrat e të cilëve nuk figurojnë në faqen e Qeverisë së Kosovës, ani se një gjë e tillë është premtuar nga anëtarë të Komisionit për Persona të Zhdukur.