Arbëri

Ideja për shkëmbimin e territoreve përball Ramën e Haradinajn në Gjykatë

Për herë të parë, kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të përballen kundër njëri-tjetrit me drejtësinë.

Kryeministri Edi Rama ka paditur homologun e tij nga Kosova, Ramush Haradinaj, për shpifje.

Kjo padi është dorëzuar në Themeloren e Prishtinës, të mërkurën, në ditën kur u shënua 21-vjetori i masakrës së Reçakut, raporton KTV.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se padia 30-faqëshe është pranuar më 15 janar dhe se akoma nuk i është caktuar asnjë gjyqtari.

Padia është bërë pas deklarimeve të Haradinajt nëpër studio televizive se Edi Rama është njëri nga nismëtarët e idesë së shkëmbimit të territoreve, së bashku me Thaçin e Vuçiqin.

Zyra për Media e kryeministrit Edi Rama, në një përgjigje për KTV-në, nuk ka pranuar të komentojë këtë padi për shpifje ndaj shefit të ekzekutivit kosovar.

Por, ndaj kësaj padie ka reaguar në Facebook kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj. E ka quajtur plotësisht të pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikën përgjegjësisë.

“Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikën përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, e ka quajtur pseudo-padi.

Duke ditur vonesat në trajtimin e lëndëve civile, juristi Ehat Miftaraj thotë se trajtimi i kësaj lënde duhet të jetë prioritet i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Por, homologët Rama dhe Haradinaj kanë histori të gjatë akuzash e përplasjesh.

Qëkur ka dalë në publik ideja e shkëmbimit dhe ndryshimit të kufijve, të dy kryeministrat kanë pasur akuza të rënda e përplasje mes vete.

Madje, Rama, duke i dalë në mbrojtje presidentit Hashim Thaçi, përdori fjalë ofenduese ndaj Haradinajt.

Kurse, nga ky moment i entuziazmit dhe shtrëngimit të duarve në flamurin mbi shkabën dykrenore, gjërat kanë ndryshuar.