Ish-komandanti i brigadës 151 të UÇK-së, Nuredin Ibishi, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara në Hagë se komanda lokale vendoste lidhur me postet e luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Llapit.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij më rastin më të madh të speciales, Ibishi deklaroi se fillimisht emërimet në poste i propozonte te komandanti dhe zëvendëskomandanti.
“Ajo është bërë me një procedurë brenda strukturës. Bëhej propozimi pasi që kisha mandatin e komandantit të brigadës për postet e caktuara. Bëja propozim te komanda, te komandanti, zëvendëskomandanti dhe ai i bënte vlerësimet dhe konform kësaj, ai bënte edhe postimet, gjegjësisht vendimet për postim në pozicion të caktuar në kuadër të kësaj strukture organizative”, tha Ibishi.
Dëshmitari Ibishi, i cili gjatë luftës e kishte nofkën “Leka”, foli edhe për dokumentet që kishin shabllone ku shkruhej “Shtabi i Përgjithshëm”. Ai tha se struktura e përgjithshme e komandës së Llapit u përcaktua prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare.
“Kjo ka të bëjë me ato adoptimet apo përshtatjet që janë bërë konform strukturës organizative të brigadës të dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm... Kjo është ajo çka në realitet e kemi bërë, por duke iu përshtatur përherë strukturë organizative të dërguar nga Shtabit të Përgjithshëm, por e modifikuar me veçoritë që i ka pasur zona – të cilat i ceka më herët. Ka të bëjë me mbrojtjen civile edhe çështjet e tjera strukturore që ne i kemi zhvilluar pas gushtit të vitit 1998”.
Ai tha po ashtu se ka pasur urdhër prej Shtabit të Përgjithshëm në këtë kohë për tu organizuar në nivel batalionesh.
“Këtë organogram, duke iu përshtatur organogramit të dërguar si formë e përgjithshme nga Shtabi i Përgjithshëm, ne e kemi modifikuar konform pozicionimit me emra apo me persona në poste të caktuara edhe në nivel të strukturës organizative sipas sektorëve edhe në nivel të batalioneve, pasi që në atë kohë, pra në gusht, me sa mbaj mend të vitit ’98 ishte urdhër i Shtabit të Përgjithshëm që të kalohet në nivelin e organizimit në nivel të batalioneve”, tha dëshmitari Ibishi.
Ibishi për Milovan Stankoviqin: Sulmoi pozicionet tona, prandaj u arrestua
Dëshmitari Nuredin Ibishi ka folur për arrestimin e një viktime pjesëmarrëse në këtë proces, e që quhet Milovan Stankoviq, për të cilin tha se i kishte sulmuar pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Potok.
Madje në një rast, Ibishi e pyeti mbrojtësin e viktimave Simon Laws se kur një person i armatosur hyn në perimetrin e sigurisë çfarë duhet të bëhet me atë apo duhet ‘ta ledhatojnë’, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, Laws tha se Stankoviqi ka qenë roje pylli kur është ndaluar më 2 gusht 1998 dhe se Nuredin Ibishi ishte i pranishëm kur e kanë dërguar në ndalim, gjë e cila u pohua nga dëshmitari.
Por, dëshmitari e quajti “gënjeshtër të pastër”, kur mbrojtës i viktimave tha se Ibishi dhe Stankoviqi ishin takuar në shtëpinë e vëllait të dëshmitarit pasi ata kishin marrëdhënie pune.
“E kam taku të arrestuar dhe ai i ka sulmu pozicionet tona. Ai i ka sulmu pozicionet dhe nuk është njëjtë sikur në një situatë hipotetike; Ky objekt e ka perimetrin e sigurisë dhe nëse dikush hyn i armatosur në këtë perimetër, ai do të arrestohet, plus i armatosur si s’duhet të bëhet. Ka qenë me uniformë. Në situatë stresi të ushtarëve, a mund ta dinë a është uniformë e ushtrisë, policisë, paramilitarëve. Ai ka qenë me uniformë dhe ka qenë me armë në dorë. Çka tjetër duhet, duhet ta ledhatoj? Ai e ka pas një fat shumë që ka shpëtu”, tha Ibishi, kur iu kërkua që të shpjegojë situatën.
Ibishi tha se Stankoviqi ishte arrestuar në mënyrë flagrante.
“Ai nuk është sjellë, por personi ka sulmu pozicionet tona në Potok edhe i armatosur. Ai është arrestu në mënyrë flagrante dhe ka pas fatin që ka qenë një përmbajtje në reciprocitetin e përdorjes së armës”, tha Ibishi.
Tutje, Laws tha se nuk kishte asgjë tjetër parasysh kur tha se ‘e sollën aty’. Tha se e kishte për faktin që ky person ishte arrestuar diku dhe ishte sjellë dhe se dëshmitari kishte qëlluar në atë vend.
“Ai ka sulmu pozicionet tona. Duhet të kuptohemi e për ata po përpiqem të jem i kjartë. S’kemi shku ta arrestojmë atë, por ai na ka sulmu neve”, tha Ibishi.
I pyetur se a qëndron fakti se ai nuk ishte i pranishëm kur Stankoviq u arrestua, por bazohet në atë që ushtarët kanë thënë që e kanë hasur në pyll dhe që e kishin arrestuar.
“Jo. Ju po shtoni që kanë hasur, por unë e kam raportin prej eprorit të njësitit që ai i ka sulmu pozicionet edhe i arrestuar është sjellë. Ai është sjellë në Bajgorë kur unë në atë kohë kam qenë në stërvitje me një gjeneratë kadetësh edhe jam taku drejtpërdrejt me sjelljen e tij në kazermë në Bajgorë”, tha Ibishi.
Ibishi tha se nuk e mban mend dëshminë e Stankoviqit në Hagë, por që ndoshta e ka ndjekur pjesërisht.
“Ju lutem, ju e keni përcjellë gënjeshtrën e tij se vëllai im është marrë me prerjen e drurit. Çka e bazoni atë genjeshtër të tij? Ai trillon. Nuk është vetëm për ta thënë. Të lutem, nëse ke prova thuje e jo vetëm pse e ka thënë Stankoviqi. Vëllai im asnjëherë nuk është marrë me çështje të transportit apo të tregtimit me drunjtë apo diçka të tjetër, absolutisht nuk kam pas asnjë njohuri lidhur me të (Stankoviqin). Du me thanë se a ki ndonjë bazë apo vetëm në bazë të deklaratave të Stankoviqit?”, tha Ibishi.
Por, në pyetjen e Ibishit nuk u përgjigj Laws, por vazhdoi me leximin e deklaratës së Stankoviqit, ku kishte thënë se kur ka arritur në atë pikë, iu afruan katër burra të armatosur, ia mbuluan sytë dhe ia lidhën duart pas shpine.
Nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit kur u pyet se a e ka parë këtë pjesë të dëshmisë së Stankoviqit. /BetimipërDrejtësi