Drejtoresha e çerdhes “Botanika” në Prishtinë, institucion që para pak ditësh u përfshi në dyshime se vodhi Komunën përmes subvencionimit të prindërve, është zgjedhur si u.d. në këtë pozitë edhe për 3 muaj, ani pse të njëjtës i ka skaduar mandati. Sipas përfaqësuesve të kuvendit të çerdhes, ky vendim është marrë për shkak të gjendjes së krijuar në kopsht. Ndërsa juristët këtë vendim po e quajnë antiligjor.
Kuvendi i anëtarëve të çerdhes me bazë në komunitet “Botanika” në Prishtinë, për të cilën KOHA raportoi se ka dyshime që drejtuesit e saj keqpërdorën fondet e institucionit, ka vendosur që ta mbajë në punë si ushtruese të detyrës drejtoreshën Kadrije Asllani edhe për 3 muaj.
Asaj i kishte skaduar mandati para pak ditësh, e DKA-ja e kishte njoftuar atë se nuk do t’i vazhdohet më.
Mirëpo, anëtarë të Kuvendit të çerdhes thanë se ky vendim është marrë për shkak të gjendjes aktuale në këtë institucion.
Kanë thënë se propozimi i Këshillit të Prindërve, i miratuar edhe nga Drejtoria e Arsimit, për mosvazhdim të kontratës së drejtoreshës së çerdhes, u hodh poshtë me shumicë votash.
“Prindër të fëmijëve që njohin fushën ligjore dhe të funksionimit të OJQ-ve pretenduan që nëse nuk marrim vendim për të zgjedhur UD, mund të rrezikohet të mbyllet kopshti nga Inspektorati i Arsimit/Ministria e Arsimit/ DKA. Gjithashtu, në mbledhje ishte prezente edhe përfaqësuesja nga Komuna dhe nuk e demantoi këtë, por as nuk na dha përgjigje se kush do ta menaxhojë Kopshtin nga e hëna”, thuhet nga Kuvendi i çerdhes “Botanika”.
Të pyetur për mbështetjen ligjore rreth këtyre pretendimeve, përfaqësues të këtij kuvendi nuk ofruan përgjigje.
E juristi Ardian Bajraktari, thotë se bazuar në dispozitat ligjore një ushtrues detyre nuk mund të zgjidhet nëse i ka përfunduar mandati i punës dhe në raste të tilla në këtë pozicion vendoset një person tjetër brenda institucionit.
“Pra, një drejtor ose drejtoreshë që i përfundon mandati dhe të njëjtës nuk i është vazhduar, ajo nuk është më pjesë e stafit të brendshëm, prandaj rrjedhimisht nuk mund të caktohet ushtrues detyre”, ka deklaruar Bajraktari.
KOHA para disa ditësh raportoi për dyshime të funksionimit të një skeme të hajnisë brenda çerdhes “Botanika”, ku prindërit akuzuan kryesinë e saj se keqpërdorën listat e subvencionimit të prindërve nga Drejtoria e Arsimit, duke shtuar emra të prindërve që nuk ishin pjesë e saj.
Për këto drejtoresha e kopshtit, Asllani, akuzoi administratoren Makolli se ishte prapa këtyre keqpërdorimeve, ndërsa kjo e fundit tha se të gjitha veprimet e kryera nga ajo ishin bërë nën direktivat e drejtoreshës ekzekutive.
KOHA ka provuar gjatë ditës të kontaktojë drejtoreshën Asllani, por ishte e paqasshme.
Ky rast është duke u trajtuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
“Rezultatet dhe vlerësimet lidhur me këtë çështje do të prezantohen në raportin e auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2024, i cili do të publikohet më së voni deri më 30 qershor 2025, në përputhje me Planin Vjetor të Auditimit të ZKA-së”, thuhet nga Zyra.
Lidhur me dyshimet për këto keqpërdorime rastin është duke e hetuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.