Arbëri

I vihet zjarri një shtëpie të ndërtuar nga Qeveria në veri, Krasniqi akuzon Vuçiqin për nxitje

Veri

Koktej molotovi është hedhur në një shtëpi të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës në lagjen “Kodra e Minatorëve” në veri të Kosovës. 

Për këtë ka njoftuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se Qeveria e dënon fuqishëm këtë akt. 

“Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletet terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai e ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për nxitje të mosdurimit etnik. 

“Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:30 gjatë mesnatës dhe se një patrullë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve. 

Sipas tij zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Krasniqi ka thënë se nuk ka pasur pëersona të lënduar. 

“Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërkaq, Policia ka thënë se dëme ka pësuar hyrja e shtëpisë dhe dyshimet janë se bëhet fjalë për zjarrvënie. Aktualisht nuk ka të dyshuar apo arrestuar.

“Rreth orës 00:30, patrolla policore e cila ka qenë në patrullim ka vërejtur tym te një shtëpi te Kroi i Vitakut. Kur është afruar afër, Policia ka vërejtur derën e hyrjes e cila ishte duke u djegur. Zjarri është fikur nga patrulla, ndërsa dëme ka pësuar dera e hyrjes së kësaj shtëpie. Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarrvënie dhe që ky zjarr është shkaktuar nga koktej i molotovit. Për momentin nuk kemi të dyshuar apo të arrestuar, ndërsa Policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.