Arbëri

I riu me aftësi të kufizuara, në pritje të punësimit që ia premtoi Kurti

Kanë shkuar katër muaj prej kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i premtoi vend pune një të riu me aftësi të kufizuara. Ai vazhdon të jetë i papunë. E nëna e tij thotë se premtimi nuk u përmbush, përkundër që disa herë shkoi në qeveri e institucione të tjera

Në fillim të dhjetorit të vjetëm, kryeministri Albin Kurti i dha një premtim një të riu me aftësi të kufizuara.

“Ka vende pune, sepse edhe pse janë aftësitë e kufizuara ka punë që munden me i kry. E merr zëvendësministri kontaktin tuaj edhe shikon ku është e përshtatshme dhe e mundshme me ua kyç diku djalin në punë”, i premtoi Kurti nënës së një djali me aftësi të kufizuara.

Por, ai ende është i papunë.

Nëna e cila këtë kërkesë për punësim të djalit e parashtroi para Kurtit e zëvendësministrit në detyrë të Financave, Agon Dobruna, u shpreh e dëshpëruar, pasi thotë se u neglizhua nga institucionet, pavarësisht insistimit të pareshtur.

“Kjo vajza na ka thirrur herën e parë, tani ia kemi dhënë ne të dhënat, ia kemi çuar. Tash po presim. U bë merak për të punuar. Edhe po të mos e paguajnë, veç ta di që po shkon te një punë aty edhe po kthehet. Është i pavarur, por duhet nga pak t’i ndihmojnë”, i ka thënë KOHËS ajo. “Këtu po të kishte mundësi një punë, hajde te KEK-u ose te Posta bre, një gardian, edhe ky një derë di ta çelë e ta mbyllë”.

Lidhur me hapat që janë ndërmarrë për ta realizuar këtë premtim, KOHA ka adresuar pyetje në Qeveri dhe te zëvendësministri në detyrë Dobruna, i cili në zgjedhjet e 9 shkurtit u zgjedh deputet, porse përgjigjet kanë munguar.

Edhe nëna e të riut tha se përgjigje nuk ka marrë.

“Unë kam shkuar te Qeveria, kam shkuar te kryeministri, bile jam përlarë me ato që janë aty. Iu thashë: ‘Unë u mbyta duke ardhur, qysh 5 minuta nuk i ndatë për mua si nënë, me djalin kam ardhur këtu’. Vetëm ma merrnin emrin, mbiemrin, numrin e telefonit edhe kurrë nuk më kanë thirrur. Kam shkuar te presidentja për t’u takuar, kështu-kështu rasti për djalin, kurrë bre nuk më kanë thirrur. Iu thashë: ‘Ju a në shportë po i gjuani letrat e mia a?’”, ka theksuar ajo.

Drejtori i Forumit Kosovar për Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu, ka bërë thirrje të zbatohet ligji që i obligon institucionet publike dhe ato private që në çdo 50 punëtorë të kenë të punësuar një person me aftësi të kufizuara.

“Institucionet e kanë për obligim me e zbatu ligjin, në këtë rast ministria përkatëse e cila ka për obligim për me rekrutu staf civil. Ajo patjetër që duhet me i plotësu kriteret e procedurave, të ligjeve mbi procedurat e konkurseve publike në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara t’i nënshtrohen atyre procedurave me qëllim të fitimit të një vendi të punës dhe me qëllim të realizimit të së drejtës së tyre që ju takon me ligj”, ka thënë Kadriu.

Vitin e kaluar KOHA ka raportuar se nga 15 ministri, dy e kanë plotësuar pjesërisht kuotën e punësimit, e tri ministri nuk e kanë zbatuar fare. Sipas të dhënave që Zyra për qeverisje të mirë ia ofroi KOHËS në fund të dhjetorit, në Ministrinë e Arsimit, të Ekonomisë dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim nuk ka pasur të punësuar asnjë person me aftësi të kufizuara.