Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka nominuar Jeffrey Hovenier për ambasador të ri në Kosovë. Hovenier ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës. Gjatë karrierës së tij diplomatike, Hovenieri i ka mbajtur disa pozita të rëndësishme. Hovenier, cili vlerësohet se e njeh mirë Kosovën, do ta zëvendësojë ambasadorin aktual, Philip Kosnett, i cili ishte emëruar në këtë post në vitin 2018 nga ish-presidenti Donald Trump.
Jeffrey M. Hovenier pritet të jetë ambasadori i gjashtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Ai është nominuar nga presidenti amerikan Joe Biden, si pasues i ambasadorit aktual Philip Kosnett.
Për t’u emëruar në këtë pozitë, Hovenierit duhet t’i konfirmohet nominimi nga Senati amerikan.
Aktualisht është zëvendësshef i Misionit të SHBA-së në Turqi, siç ishte edhe Kosnetti para ardhjes në Kosovë.
Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Lidhjen e ngushtë me Kosovën, Hovenier e kishte konfirmuar në vitin 2018, kur ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur Hovenier në këtë rast.
Mirëseardhje në Kosovë diplomatit amerikan i ka uruar ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.
“Jeffrey M. Hovenier është diplomat i karrierës dhe ka qenë aktivisht i përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e presidentit Ahtisaari!”, ka thënë ajo.
Edhe eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se Hovenier i duket një emërim i përshtatshëm.
“Më duket një emërim krejtësisht i përshtatshëm i dikujt me sfond përkatës dhe reputacion të mirë profesional”, ka thënë ai për KOHËN.
Ambasadorit aktual Kosnett, i emëruar nga ish-presidenti Donald Trump më 2008, i përfundon mandati këtë vit. Kosnett e ka shfrytëzuar Twitterin për ta uruar pasardhësin e tij për nominimin.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Hovenier ka qenë ushtrues detyre i zëvendësambasadorit edhe në Berlin të Gjermanisë.
Ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.
Kurse në Washington ai ka kryer detyrën e drejtorit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n.