Arbëri

I është bërë thirrje Qeverisë t’i ndalë sulmet ndaj Kushtetueses

Ka nxitur reagime akuza e një numri zyrtarësh qeveritarë ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që këtë javë i rrëzuan disa ligje. Në shoqërinë civile theksuan se sulmet e tilla lëkundin vlerat e demokracisë dhe do të reflektohen edhe në raportet periodike ndërkombëtare që bëhen për Kosovën

Një numër zyrtarësh qeveritarë kanë drejtuar kritika e etiketime ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi këtë javë ky institucion rrëzoi disa ligje e vendime.

Gjykata e shpalli antikushtetues edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është konsideruar si ligji me i rëndësishëm i Qeverisë Kurti.

Pas njoftimit për këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka akuzuar gjyqtarët për, siç ka thënë, shërbim ndaj nomenklaturës së vjetër. 

Akuza të ngjashme kanë lansuar edhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë.

Kjo qasje e qeveritarëve ka nxitur reagime. 

Në një komunikatë të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës thuhet se deklaratat e tilla cenojnë institucionet dhe janë të papranueshme, meqë, sipas saj, shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe gërryejnë vlerat demokratike.

“Është detyrë e të gjitha palëve të interesit dhe  e zyrtarëve politikë të respektojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore të shtetit. Kjo përfshin jo vetëm kryerjen e funksioneve dhe përmbushjen e përgjegjësive të tyre, por edhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të tjera. Formulimi i politikave, ndërtimi i konsensusit, hartimi i legjislacionit dhe rishikimi i akteve ligjore duhet të bëhen brenda kufijve të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.

E, avokati dhe njohësi i zhvillimeve të sistemit të drejtësisë, Yll Zekaj, thotë se akterët e Qeverisë janë duke sulmuar secilën hallkë të sistemit të drejtësisë.

“Nuk është hera e parë që shohim një reagim apo sulm të tillë të Qeverisë në drejtim të institucioneve të pavarura, qysh është edhe Gjykata Kushtetuese. Kemi parë në të kaluarën sulme të vazhdueshme të kësaj qeverie edhe në drejtim të gjykatave të rregullta, sa herë që nuk iu ka pëlqyer apo nuk iu ka konvenuar një vendim i tillë”, ka thënë avokati Zekaj.

Sipas Zekajt, sulmet e tilla do të reflektohen në raportet ndërkombëtare që bëhen për Kosovën.
Të mërkurën, Gjykata shpalli të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Me pesë vota për dhe katër kundër, ajo konstatoi se pesë nene thelbësore të ligjit bien ndesh me Kushtetutën.