Profesori i së Drejtës në Universitetin e Prishtinës, Flamur Hyseni, ka thënë se reagimet e ndërkombëtarëve pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit, duhet ë merren seriozisht.
Por sipas tij çdo negocim për hapjen e saj në procesin e dialogut i bie që është dëmtim i subjektivitetit të brendshëm të Kosovës.
“Reagimet që ishin nga ambasadori amerikan dhe në emër të shteteve të BE-së dhe Britanisë së Madhe duhet të merren seriozisht, nuk duhet të shihen si deklarata të pastra politike, në deklaratën e tij ambasadori amerikan ishte mjaft i qartë, prandaj Qeveria këtë duhet ta shohë si shumë serioze”, ka theksuar Hyseni të premten në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Por sipas tij në rast se hapet kjo si temë, atëherë Qeveria duhet ta argumentojë që për të ekziston tashmë një marrëveshje.
“Në rast se në procesin e dialogut hapet kjo si temë, atëherë Qeveria duhet ta argumentojë që një marrëveshje vetëm se ekziston, qysh në vitin 2014 dhe të njëjtën ta imponojë në procesin e dialogut, përndryshe çdo negocim i ri për hapjen e urës, çdo negocim i ri për ndonjë marrëveshje të re për hapje të urës i bie që ka devijim të rrugës së dialogut por edhe dëmtim të brendshëm të subjektivitetit të Kosovës dhe sovranitetit të vet”, është shprehur Hyseni.
Ai e ka komentuar edhe deklaratën e zëdhënësit të BE-së Peter Srano, i cili ka thënë se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe prapa nëse nuk i dëgjon aleatët.
“Kjo më tepër është një lloj këshille miqësore, sugjerimi, edhe me herët kanë dhënë kësi lloj sugjerime dhe rekomandimesh edhe për procesin e dialogut edhe për negociatat shqetësimin e drafteve për Asociacionin ... s’e shoh si të një rëndësie të veçantë që mund të përkeqësojë raportin, i cili vërehet se ka lëvizje, nuk është raporti i cili ishte para një viti e gjysmë, por meqenëse ka folur një zëdhënës i BE-së nuk me shoh si serioze”, është shprehur Hyseni.
Sipas tij për 10 vjet marrëveshja për Urën e Ibrit është përdorur si parakusht për t’u futur në një raund të di të dialogut.
“Marrëveshja për hapjen e urës ka një histori gati 10-vjeçar, në vitin 2014 është arritur dhe veprimi nuk është bërë asnjëherë, gjatë këtyre 10 viteve kjo është përdorur gjithmonë si një lloj parakushti për t’u futur në një raund të ri të bisedimeve, prandaj edhe në këtë aspekt nëse Qeveria ka pasur ndonjë informacion me herët se në raundet e mundshme të bisedimeve mund të hapet kjo si çështje, atëherë është në strategjinë e saj se si dëshiron t’i qaset tani e tutje dialogut”, ka deklaruar Hyseni.