Arbëri

Hyseni: Kontratat e negociuara nuk janë korruptive e as kriminale

Hyseni

Lëvizja Vetëvendosje i ka quajtur propagandë akuzat e opozitës drejtuar saj për lidhje të numrit të lartë të kontratave njëburimore. Sipas zyrtarëve të VV-së, numri i kontratave të lidhura me negocim ka shënuar ulje në dy vjetët e fundit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Driton Hyseni, ka thënë se Qeveria nuk po mban sekret asgjë dhe se tenderët e tillë janë ligjorë. Ai ka theksuar se këto kontrata “nuk janë as korruptive e as kriminale derisa të mos e vërtetoj ndonjë autoritet në ndonjë rast të veçantë”.

“Për një kohë të gjatë opozita deklaron dhe madje ka nxitur debate në Kuvend sa i takon tenderëve që sipas ligjit quhen tenderë të proceduar përmes procedurës së negocimit direkt. Në ligj kështu thuhet, por për qëllime politike ata i quajnë qoftë tenderë sekretë, qoftë njëburimor. Nuk kemi të bëjmë me sekret, kemi të bëjmë me procedurë transparente dhe ligjore”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Ai ka shtuar se kontratat me negocim janë lidhur për shkak se procedura e rregullt “merrte kohë” dhe e pamundësonte shërbimin.   

“Qysh me marrjen e mandatit kishim një Organ të Shqyrtimit të Prokurimit jo shumë funksional. Për shumë kohë ishte edhe pa bord funksional dhe si i tillë mosperformanca e tij i ka detyruar shumë autoritete kontraktuese, komunat apo ministritë, ndërmarrjet, institucionet, që me qëllim të ushtrojnë kompetencat e tyre të orientohen drejt procedurës së negocimit direkt sepse procedura e rregullt merrte shumë kohë dhe e pamundësonte shërbimin apo operimin e këtyre ndërmarrjeve”.

Ka thënë se kontrata e KEK-ut me kompaninë “General Electric” përbën 48% të shumës totale të tenderëve njëburimorë.

“E kemi kontratën e KEK-ut dhe për operatorë të disa punëve që kryhen në ndërmarrje angazhon ekipe që janë të specializuara e kompani. Kontratë e nënshkruar më 2023 dhe që kap vlerë 56.2 milionë euro dhe e përbën shumën prej 48% të shumës totale të tenderëve të negociuar. 56.2 milionë është kontrata mes KEK dhe General Electric”, është shprehur ai.

Hyseni ka potencuar se më së shumti kontrata të tilla janë proceduar nga komunat.

“Nga viti 2021 deri 2024 kemi një proporcion të këtillë të kontratave me negocim direkt, 43% të të gjitha kontratave me negocim direkt janë procese të nxitura dhe proceduara nga komunat. 3% e tyre janë nga kompanitë lokale nën komunat”.