Arbëri

Hysa: Vuçiqi s’po e përmend Kosovën sepse e ka përballë Kurtin që goditet nga Perëndimi

Ylber Hysa

Ish-diplomati Ylber Hysa ka thënë se ka disa muaj që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e përmend nëpër fjalimet e tij Kosovën.

Sipas tij, kjo po ndodh pasi e ka përballë kryeministrin Albin Kurti, i cili po goditet dhe qortohet vazhdimisht nga perëndimorët për hapat e tij. 

“Z.Vuçiq nuk e përmend Kosovën në këta 3-4 muajt e fundit, kjo ndodh për arsyen se e ka z.Kurti përball që konstant goditet dhe qortohet për hapat e tij”, ka thënë Hysa të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai ka shtuar se imazhi i Kosovës në diplomaci tashmë është i gabuar, pasi shihet si fajtore. Sipas tij, kjo ka çmim. 

“Imazhi në diplomaci ka të bëjë shumë, imazhi ynë sot është që edhe ne kemi faj, ky është një kthim serioz prapa. Gjithmonë në çfarëdo lloj ndërhyrje diplomatike nga partnerët perëndimorë, Beogradi ka qenë adresa ku duhej të bëhej presion, tani është një humbje serioze e investimit diplomatik të gjeneratave dhe mendoj që kjo kushton. Jemi duke paguar çmimin, nuk dihet tutje ku mund të mbërrijmë me atë çmim por besoj se neve na duhen miqtë”, ka shtuar Hysa.

Derisa ka folur për vizitën e sotme të presidentit francez, Emmanuel Macron, në Beograd, ku u nënshkrua marrëveshja për 12 aeroplanët luftarakë “Rafale”, ai ka thënë se Vuçiqi e ka arritur kulmin e diplomacisë së tij. 

“Kjo vizitë që mbase simbolikën më të madhe e ka pasur te aeroplanët, dukej që qëllimi ishte që të bëhej publike një marrëveshje, aty nuk ishte vetëm për aeroplanët, por shumë marrëveshje të tjera. Kjo praktikisht është një pako e madhe, gjithsesi i duhet presidentit serb. Ai me këtë ka mbërritur kulmin e diplomacisë së tij edhe-edhe – edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen. E ka arritur kulmin edhe në nivelin e brendshëm. Është edhe një forcim i imazhit diplomatik të Serbisë në një arenë më të gjerë, por gjithsesi në rajon. Serbia do të marrë “rafalët” e klasit më të ri, të përditësuar që është shumë i nivelit më të lartë se që i ka Kroacia. Macroni deshi ta zbehë këtë duke thënë se edhe Serbia po i bashkohet klubit të ‘Rafaleve’”, ka thënë ai.