Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, ka thënë se rënia e Qeverisë së Krivokapiqit është lajm i mirë për Kosovën dhe shtetet e tjera fqinje, veçanërisht ato që kanë orientime perëndimore. Sipas tij, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviqi tani ka gjasa reale të që të bëhet kryeministër i shtetit, por me disa kushte.
Në një prononcim për KOHËN, Hysa paralajmëroi se në Mal të Zi do të kalojë një periudhë jo e lehtë, pas rënies së Qeverisë, mirëpo për vendet fqinje nuk është lajm i keq.
“Rënia e kësaj Qeverie është lajm i mirë për Kosovën. Ndonëse një nga parimet e kësaj Qeverie ka qenë që nuk do ta heqë njohjen ndaj Kosovës dhe nuk do të ndryshojë politikat me NATO-n. Por tani gjithsesi është më e lehtë për Kosovën”, ka thënë ai. Sipas tij, qeveria e re që do të krijohet nuk do ta ketë lehtë. “Do të gjendet në një situatë ku ndaj saj do të ketë opozitë, madje kemi parë ditëve të fundit që ka pasur opozitë përmes protestave nëpër rrugë. Do të kalojë një periudhë jo e lehtë në Mal të Zi, por sidoqoftë rënia e kësaj qeverie nuk është lajm i keq për fqinjët, sidomos për ata që kanë orientime perëndimore”.
Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi tutje është shprehur se rënia e Qeverisë së Krivokapiqit ka qenë epilogu më i logjikshëm në krizën në të cilën ishte futur vendi. Sipas tij, ishte e pamundur që një qeveri e tillë, me kaq shumë dallime brenda, të qëndronte në pushtet më gjatë.
“Ky ka qenë epilogu më i logjikshëm i një krize serioze në të cilën ka hyrë Qeveria e Krivokapiqit, i cili edhe ashtu ka ardhur në një Qeveri shumë kompozite, me shumë heterogjenitet dhe shumë dallime, dhe që nuk ka pasur asnjë shkathtësi të mbajë bashkë një grup të tillë divergjent. Me paraqitjet e tij të fundit e ka bërë praktikisht të pamundur një Qeveri të tillë, e cila nuk ka pasur fare rezultat të mirë, që ka sjell epilogun e sotëm. Kjo ka bërë që vetëm 11 deputetë ta përkrahin Qeverinë e tij dhe shumica të jetë kundër. Ashtu siç ka ardhur me shumë trumpetime një Qeveri që u krijua në një Manastir, duket që ka perënduar në një errësirë politike”, ka thënë Hysa.
Politikani shqiptar Dritan Abazoviq tani ka gjasa reale që të jetë kryeministër i Malit të Zi, sipas Hysajt. Por për të ardhur deri te kjo pozitë, Hysa ka thënë se opozita e Malit e Zi ia ka bërë të qartë Abazoviqit se nuk duhet të pranojë çfarëdo lloj marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe, ashtu siç është premtuar, dhe as të mos bëjë regjistrimin e popullsisë që do të ndryshonte situatën demokratike në Mal të Zi.
“Abazoviq do të jetë aty nëse premton që do të marrë një qeveri që ka orientime të qarta, për integrime evropiane dhe vazhdon me politikat pro-perëndimore”, u shpreh Hysa.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u rrëzua 14 muaj pas formimit. Ajo u zgjodh më 4 dhjetor 2020.
Zëvendëskryeministër i kësaj qeverie ka qenë Dritan Abazoviqi, i cili me partinë që e udhëheq, URA, thirri mocionin e mosbesimit, ndërsa tash po synon krijimin e qeverisë së pakicës.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Qeveria e Krivokapiqit do të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiq ka thënë se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet. Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviq është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje. Nga ana tjetër, Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.