Arbëri

Hyrja në parkingun nëntokësor do të kushtojë 1 euro, komuna nuk di gjë

Të gjithë këto vetura që po hyjnë në parkingun nëntokësor do të faturohen edhe nëse nuk qëndrojnë fare në parking.

Që nga 17 shkurti “Parking Center”, ka vendosur që 15 minutat e parë të qëndrimit në parking të cilat kanë qenë pa pagesë, të kushtojnë 1 euro.

Këtë gjë e kanë bërë me vetëm një njoftim në ‘story’ në rrjetin social Facebook.

Drejtori i këtij parkingu, Korab Fazliu, ka deklaruar që kanë qenë të detyruar që ta bëjnë këtë ndryshim, pasi sipas tij parkingu është përdorur si vend transit.

“Që nga hapja e parkingut 15 minutat e parë kanë qenë falas dhe është parkingu i vetëm në komunën e Prishtinës që e ka pasur këtë opsion për arsye të klientëve të cilët kanë punë të shkurta në qendër, pra ka qenë shenjë respekti dhe falënderimi për klientët që na vizitojnë. Rrugët në komunën e Prishtinës janë të ngarkuara kësisoj edhe rruga ‘Eqrem Qabej’, që lidhet me parkingun nëntokësor, ky parking filloi që të përdoret si transit për taksitë e ndryshëm dhe qytetarë të ndryshëm e shfrytëzonin hyrjen nga fakulteti dhe daljen nga katedralja dhe anasjelltas, në mënyrë që t’i ikin kolonave sesa klientë që e kanë vizituar, e këtu na u shfaqën probleme neve më pastaj”, ka thënë Fazliu.

Fazliu thotë se skuterët elektrikë që bartin ushqime me porosi kanë shkaktuar edhe aksidente nga shpejtësia brenda parkingut.

“Skuterët elektrikë kanë shkaktua edhe aksidente sepse e kanë shfrytëzuar jashtëzakonisht shumë këtë 15 minutëshin falas. Kanë vozitur me shpejtësi të lartë, tash e 1 vit jemi duke e diskutua dhe mbikëqyrur largimin e 15 minutëshit të parë dhe vendosëm ta largojmë sepse kjo gjë vetëm po na shkakton probleme dhe po i irriton klientët e parkingut. Ngritje të çmimit tjetër nuk ka vetëm që klientët do të faturohen që në hyrjen në parking. Ne kemi biseduar edhe me komunën ata kanë qenë të njoftuar. Mirëpo këtë e ka bërë edhe avokati ynë. E jona është vetëm që të njoftojmë qytetarët për ndryshimet qe kemi bërë. Nga klientët tanë nuk kemi pasur ankesa”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër komuna nuk ka qenë në dijeni për këtë ndryshim të çmimit.

E Feim Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që nëse kjo gjë nuk është bërë nga një komision komunar është e jashtëligjshme.

“Në dhjetor të viti 2023 është miratuar rregullorja e “Prishtina Parking”, e cila i rregullon punën e të gjitha parkingjeve në Prishtinë dhe e përcakton mënyrën e vendosjes së çmimeve. Nuk e di se pse është vendosur që futja në parking të paguhet, mirëpo që rregullorja e thotë pikërisht të kundërtën, 10 minutat e parë janë falas ndërsa parkingu në fjalë e ka pasur 15 minuta, e nuk e di a ka pasur komision brenda komunës i cili do ta ndryshonte çmimin. Ne nuk kemi asnjë lloj informate se çfarë ka ndodhë vetëm po e dimë që ata që hyjnë në parking po faturohen që në minutën e parë”, ka theksuar Osmani.

Osmani ka thënë që komuna është fajtori kryesor, pasi po bën privatizimin e aseteve komunale.

“Nëse nuk ka ndodhë në konsultim me komunën është e jashtëligjshme. Mirëpo kjo është ajo që ne po e potencojmë e po i kundërshtojmë vazhdimisht këto vendime që po i merr komuna e Prishtinës për partneritete publiko- private ne e kemi kundërshtuar edhe sheshin, shtëpizat e të tjera. Kjo pasi privati mandej po shtrenjton çmimet sepse synimet e bizneseve janë për ta maksimizuar fitimin e tyre. Me bllokimin e rrugës ‘Xhorxh Bush’, ky parking e ka humbur paksa vlerën e vet”, ka deklaruar asamblisti i LVV-së.

Pakoja mujore për të parkuar në këtë parking prej orës 07:00 mëngjes deri në orën 19:00, kushton 60 euro.

Parkingu nëntokësor është kritikuar edhe më herët për çmimet e larta.