Në një konferencë, të martën në Prishtinë, është publikuar hulumtimi “Shëndeti riprodhues, planifikimin familjar, sëmundjet e transmetushme seksuale dhe kanceri i gjirit për gratë dhe vajzat e verbëra”.
Hulumtimi i mundësuar përmes projektit “Vetëdijesimi i grave dhe vajzave të verbëra për shëndetin riprodhues dhe kancerin e gjirit”, i mbështetur nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe i implemetuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës (SHVK), pati për qëllim identifikimin e nevojave shëndetësore dhe qasjen në informacion te gratë e vajzat e verbëra dhe me dëmtime në të parë.
Gjetjet e hulumtimit, sipas njoftimit të SHVK-së, janë shqetësuese.
“Gjetjet e këtij hulumtimi ishin shqetësuese, mungesë e edukatës dhe njohurive për shëndetin riprodhues, mungesa e dijes për kontrollin vetanak të gjirit, mungesa e dijes dhe praktikave për mamografinë, mungesa e dijes për sëmundjet e transmetueshme seksuale si dhe nevoja për masat e përshtatshme edukuese dhe informuese”, thuhet në njoftim.
Si rekomandime, janë dhënë bashkëpunimi i menjëhershëm me institucionet shëndetësore për zhvillim të programeve edukative, trajnim i personelit shëndetësor, resurse te përshtatshme dhe teknologjike, promovim e vetëdijesim në forma të përshtatshme si dhe përfshirja e shoqatave në hartimin e planeve strategjike nga ministritë përkatëse dhe komunat.
Në konferencë ku u prezantuan gjetjet morën pjesë, Melihate Pllana - menaxhere e projektit, Bekim Krasniqi - menaxher i programeve në SHVK dhe Shqipe Pantina, eksperte dhe hartuese e hulumtimit.
Pjesë e konferencës ishin edhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme.
“Projekti do të vazhdojë me aktivitete të radhës për edukim dhe trajnimin e target grupit mbi kujdesin e shëndetit riprodhues, sëmundjet e transmetueshme dhe kancerin e gjirit”, thuhet në njoftim.