Arbëri

Hoxhaj: PDK-ja nuk zbaton asnjë marrëveshje me Serbinë që nuk është nënshkruar nga Kosova

Enver Hoxhaj

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij në raport me dialogun me Serbinë, mbështet vetëm marrëveshjet që janë të nënshkruara nga Kosova.

Ai ka thënë se përgjigja e PDK-së ndaj bashkësisë ndërkombëtare sa i përket kësaj çështjeje do të ishte se i përmbush obligimet e nënshkruara. Ka shtuar se duhet të ketë platformë të re të dialogut dhe se ajo duhet të diskutohet nga të gjitha partitë politike të shtetit.

“Qëndrimi jonë është ky, ne i përmbushim të gjitha obligimet ndërkombëtare që i ka nënshkruar Kosova, i përmbushim obligimet që janë zotuar Qeveria dhe institucionet e Kosovës dhe ne nuk zbatojmë asnjë marrëveshje që nuk është nënshkruar nga ana e Kosovës”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

I pyetur nëse këtë qëndrim e sheh të njëjtë me kryeministrin aktual, Albin Kurti, Hoxhaj ka thënë se Kurti i ka pranuar marrëveshjet.

“Albin Kurti i ka pranuar, ia ka bë dëmin më të madh kolosal Kosovës me Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit, me statutin për Asociacionin. Të tri dokumentet janë dokumente që janë pranuar blanko, nuk e dimë kush i ka hartuar ato”, u shpreh ai.