Arbëri

Hoxhaj: Osmani dhe Kurti i takojnë së kaluarës, PDK-ja do ta udhëheqë vendin

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është shprehur i bindur se partia ku bën pjesë do t’i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërsa për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ka thënë se i takojnë së kaluarës.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së të premten, Hoxhaj ka thënë se koalicioni i 14 shkurtit 2021 e ka rrënuar shpresën në Kosovë.

“Nëse koalicioni i 14 shkurtit 2021 është pa si koalicion i shpresës, e ka rrënuar shpresën këtë vend. Jemi në një moçal të madh politik. Temat që i ka vendi përpara janë tema serioze. Për këto dy muaj, PDK-ja do të arrijë të adresojë disa çështje. Osmani dhe Kurti i takojnë të kaluarës. Mandati i tyre është i skaduar. Më 9 shkurt ka zgjedhje, më 10 shkurt do të ketë ndryshim të madh politik. Ndryshimi i madh politik do të udhëhiqet nga PDK-ja”, ka thënë ai.

Fjalimin kritik të presidentes Osmani gjatë adresimit vjetor në Kuvend të enjten, Hoxhaj e sheh si të vonuar dhe pa kurrfarë efekti.

“Një kritikë e tillë është e vonuar, s’ka efekt meqë kemi zgjedhje. Do të kemi qeveri të re prandaj nuk i shërben askujt. Në bindjen time, gjatë këtij mandati të Qeverisë, vendi nuk ka pas lider që do duhej ta balanconin pozitat. E kemi parë të panevojshëm për të marrë pjesë në një seancë të tillë. Ka qenë një parti-shtet”, ka shtuar Hoxhaj.

Nënkryetari i PDK-së tutje ka adresuar kritika të tjera për Qeverinë, duke e fajësuar për gjendjen e keqe në ekonomi dhe për migrim masiv që thotë se ka ndodhur në katër vjetët e fundit.

“Ne jemi përditë në terren, takohemi me qytetarë. Shqetësimi kryesor i tyre është ekonomia. Njerëzit nuk kanë jetuar asnjëherë me kosto më të lartë dhe me paga më të vogla. njerëzit nuk kanë besuar do të keqësohet gjendja më shumë në rrafshin ekonomik. Shqetësimi i dytë është arsimi, pastaj shëndetësia. Një trend negativ është migrimi masiv. Nuk ka pas asnjëherë migrim më të madh sesa këto katër vjet. Një nga arsyet kryesore pse po ndodh migrimi është ndryshimi politik që ka ndodhur më 14 shkurt ka qenë ndryshim për të keq, e ka thyer shpresën dhe besimin. Tash njerëzit e shohin zgjidhje ikjen në Perëndim”, ka deklaruar Hoxhaj, duke shtuar se me qeverisjen e PDK-së të gjitha këto probleme do të rregullohen.

Sa i përket mospjesëmarrjes së opozitës gjatë votimit të buxhetit 2025 në Kuvend, Hoxhaj ka theksuar se buxheti i miratuar dje nuk ka kurrfarë vlere për shkak se zgjedhjet janë afër.

“Do të ketë qeveri të re dhe ky buxhet do të rishikohet... Buxheti që miratohet dy-tre muaj para zgjedhjeve nuk ka kurrfarë vlere. Prandaj nuk e kemi parë të nevojshëm të debatojmë për këtë çështje”, ka deklaruar ish-ministri i Jashtëm.