Arbëri

Hoxhaj: Kurti kapitulloi duke hequr njëanshëm regjimin e vizave për Bosnjën

Enver Hoxhaj

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka quajtur kapitullim vendimin e kryeministrit Albin Kurti që njëanshëm t'ua mundësojë qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës të futen në Kosovë me letërnjoftim.

Ai ka shkruar në Facebook, pas dorëzimit në CEFTA, Kurti po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srspka, “pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën”.

“Beogradi sot po ndjehet rehat. BE-ja filloi liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia që qytetet e Kosovës i paraqet si të Serbisë, e Qeveria Kurti i dha lëvizje të lirë serbëve të Republika Srspka-s në të njëjtën ditë. Vendimi unilateral i Kryeministrit Kurti për të hequr regjimin e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është asgjë më pak se një kapitullim. Pas dorëzimit në CEFTA, tani ai po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srpska, pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën. Por sot, si mund ta justifikojë Kurti që regjimi për pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë lejon serbët të lëvizin lirshëm në BE—duke legjitimuar në mënyrë efektive pretendimin e Serbisë mbi qytetet e Kosovës?”, ka shkruar Hoxhaj.

Sipas deputetit të PDK-së, ky vendim i Bashkimit Evropian është sulm i qartë ndaj sovranitetit, e për këtë vendim ai tha se “Kurti ka heshtur dhe nuk ka kundërshtuar në bisedimet e tij në tavolinat e majta, të cilat kanë rezerva ndaj shtetësisë së Kosovës”.

Hoxhaj ka shtuar se Kurti po e hap rrugën për agjendën e Beogradit duke minuar pavarësinë e Kosovës.

“Jam shumë krenar që kam qenë unë ai që ka propozuar regjim të vizave me Bosnjën dhe Hercegovinën pasi Repubika Srspka kishte kushtëzuar tërë shtetin boshnjak që të merrte një vendim të tillë! Të shoh Kryeministrin Kurti që sot pa asnjë reciprocitet të shpall një vendim të tillë, është gabim shumë i madh politik, ngaqë qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës dhe pse mos të presin edhe ata para ambasadave të Kosovës”, ka theksuar ai.