Arbëri

Hoxhaj: Kosova duhet ta njohë qeverinë e përkohshme të Sirisë

Enver Hoxhaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh ish-ministër i Jashtëm, ka thënë se Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që e njohin qeverinë e përkohshme të Sirisë.

Derisa ka konsideruar se aktualisht Lindja e Mesme po kalon një nga momentet më të rëndësishme në dekada, ish-kryediplomati i Kosovës ka thënë se me rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, Kosovës i hapet një mundësi e re për të tejkaluar kundërshtimin e Iranit ndaj pavarësisë së saj, në vende si Siria, Libani dhe Iraku. 

“Sot, Qeveria e Kosovës nuk ka ende qëndrim për këto zhvillime dhe se si t’i përdorë ato për njohjen e mëtejshme të Kosovës. Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që njohin qeverinë e përkohshme të Sirisë, një vend ku Serbia ishte aleate e regjimit brutal të Assadit, dhe të kthejë këtë moment në favor të njohjes së Kosovës nga Libani dhe Iraku”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Ai ka shtuar se diplomacia e Kosovës duhet të dalë nga moratoriumi i vetimponuar ndaj njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës.