Arbëri

Hoxhaj e quan “sovranitet të dyfishtë” heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

Enver Hoxhaj - PDK

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendimi i Këshillit Evropian për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese në Beograd është ditur nga dhjetori dhe se Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë sikur nuk e ka ditur.

Ai e ka quajtur këtë vendimin më të dëmshëm që nga shpallja e pavarësisë dhe ndërlidhje me idenë e Serbisë për sovranitet të dyfishtë.

“Është sovranitet i dyfishtë për Kosovën”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Hoxhaj ka theksuar se Bashkimi Evropian po e ndëshkon Kosovën dhe kryeministrin Albin Kurti si me këtë vendim, si me masat që i pati vënë.

“Vendimi për t’i njohur pasaportat e strukturave ilegale të shtetit serb brenda Kosovës është vetëm hallka e fundit e zinxhirit të gabuar që ka marrë Albin Kurti në këto vite qeverisje”, është shprehur ai.

Sipas tij, vendimi i BE-së është ndëshkim ndaj politikave të Qeverisë.

Sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, Hoxhaj ka theksuar që të ketë komunikim për këtë çështje. Urgjente e ka quajtur integrimin e komunitetit serb në veri.

Ai ka thënë se veriu është shndërruar në temë për ta mbajtur në pushtet Kurtin.

“Ajo që po ndodh në veri dhe tema e urës nuk ka të bëjë me shtetin, por me pushtetin e Albin Kurtit. Veriu i Kosovës është një temë që i shërben Albin Kurtit të mbetet në pushtet në Kosovë, dhe Vuçiqit të mbetet në pushtet në Serbi”, ka thënë ai.

I pyetur nëse ndërrimet e emisarëve për Ballkan dhe dialog do të kenë ndikim pozitiv për procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj ka thënë se pavarësisht kush kë e zëvendëson temat e shtruara prej vitesh në tavolinën e negociatave mbesin të njëjta.

“Në prej arsyeve pse Borrell e ftoi Kurtin e Vuçiqin në Bruksel ishin që t’u thoshte se e përfundova mandatin por temat që i kemi diskutuar në tavolinë qëndrojnë dhe kalimi mandatit te Kaja Kallas nuk ndryshon gjë në përmbajtje”, ka shtuar ai.

Hoxhaj ka shprehur shqetësimin se zgjerimi i BE-së nuk do të ndodhë siç është përfolur. Sipas tij, për këtë nuk ka vullnet politik.

“Nëse BE nuk e ka njëmend ta shtyjë zgjerimin dhe nëse Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, nuk e merr ndonjë prej tyre ndonjë datë për anëtarësim, BE-ja nuk ka ndikim për të kryer ndonjë temë në Ballkan. Problemi kryesor është se politika e zgjerimit ekziston vetëm si kërkesë burokratike në Bruksel, por nuk ka vullnet politik”, ka potencuar tutje.