Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Bashkimi Evropian vetëdijshëm shkeli Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit për mënyrën se si u përfaqësua Kosova në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Sipas tij, në Marrëveshjen e Brukselit thuhet se Kosova duhet të përfaqësohet në organizata ndërkombëtare si shtet sovran, por në CEFTA u prezantua me asterisk.
Kosova për herë të parë u përfaqësua me zyrtarë të saj në CEFTA këtë muaj, por me asterisk. Deri tash, Kosova përfaqësohej nga UNMIK-u.
Për Hoxhajn, kjo mënyrë e përfaqësimit nuk do të thotë asgjë. Ai ka theksuar se që Kosova të jetë e barabartë me shtetet e tjera duhet të ndryshohet Konventa e CEFTA-s.
“Pranimi i kompromisit nga Kurti (për lejimin e mallrave serbe) nuk e ka ndërruar përmbajtjen e pranisë së Kosovës në CEFTA, e ka ndërruar vetëm përfaqësimin. Nuk ka ndërruar Konventa e e CEFTA-s... është gjetur vetëm një zgjidhje si të ulet në tavolinë dhe të jetë funksionale. Çështja e CEFTA-s, kompromiset e Kosovës, qëndrimi i Sarrazinit dhe i evropianëve tregon për diçka tjetër. Ne kemi pasur Marrëveshje të Brukselit. Nga pika e parë deri te e pesta e kemi pasur që Kosova duhet të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare si shtet sovran dhe e shoh mënyrën se si është përfaqësuar Kosova në CEFTA është shkelje brutale e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Jo që Kosova e Serbia s’po e zbatojnë marrëveshjen, por edhe gjermanët, francezët e BE-ja që e kanë propozuar një plan të tillë vetëdijshëm po e shkelin”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Deputeti i PDK-së u shpreh se për të është situatë e re se si Bashkimi Evropian po e sheh Marrëveshjen e Brukselit.
“Kam pritur që Kurti përtej skanerëve dhe debatit teknik, do duhet të ketë mendim strategjik, t’u thotë evropianëve përtej asaj që kam vullnet ta nënshkruajë marrëveshjen dhe s’po do Vuçiqi, për Këshill të Evropës vlen parimi që të anëtarësohemi si shtet i pavarur, për CEFTA-n bëhet zgjidhje improvizuese – për mua është situatë e re se si BE-ja po e sheh marrëveshjen”, ka potencuar Hoxhaj.
Në kontekstin gjeopolitik, pavarësisht shteteve anëtare mosnjohëse, Hoxhaj shprehet optimist se është e mundur ndryshimi i Konventës së CEFTA-s që Kosova të jetë e barabartë me anëtaret e tjera.
“Kurti duhej të insistonte që Kosova e zbaton marrëveshjen, sikurse tha në Proceisn e Berlinit, por hapi i parë i zbatimit do të ishte anëtarësimi i Kosovës në CEFTA jo me asterisk, jo me zgjidhje kozmetike ose simbolike, por duke ndryshuar Konventën, gjë që e shoh të mundur. Në kotekstin gjeopolitik, as Moldavia, as Rumania nuk do t’i thoshin jo kërkesës së BE-së për ta pranuar Kosovën”, ka deklaruar Hoxhaj.
Nga dhjetori i 2021-s, Kosova kishte pezulluar pjesëmarrjen në CEFT pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.
Me angazhimin e Gjermanisë, para mbledhjes së Procesit të Berlinit më 15 tetor, Kosova vendosi të lejojë kalimin e mallrave serbe në Merdar, ndërsa Serbia pranoi që Kosova të përfaqësohej nga zyrtarë të saj në CEFTA.