Arbëri

Hoxha: VV-ja nuk po sillet si parti e pjekur politikisht

Erblin Hoxha, njohës i çështjeve politike, ka thënë se gjuha e ashpër e përdorur gjatë fushatës zgjedhore nga krerët e partive ndaj njëri-tjetrit ka bërë që tash partitë të mos arrijnë kompromis.

Derisa ka folur për bllokadën në Kuvendin e Kosovës, ku për të tretën herë ka dështuar të votohet kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Hoxha ka shtuar se partitë opozitare do duhej të ofronin kushte përveç kërkesës për ndërrimin e emrit të propozuar nga LVV.

“E kuptoj që partitë opozitare me dalë kundër, nuk e kuptoj që duhet me ndërru emrin apo diçka tjetër, por është e çuditshme që nuk ka kushte nga partitë opozitare përtej vendosjes së një emri. Me pasë kushte që nuk lidhen domosdo me një emër, por me disa nisma legjislative”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Hoxha ka thënë se LVV-ja nuk po sillet si parti e pjekur politikisht duke mos ndryshuar qasje. Siç ka thënë ai, partitë po luajnë mes vete se “kush po tregohet më e fortë, më e durimshme dhe kush i ka nervat më të forta me pa tjetri a po thyhet”.  

“Partia fituese, Lëvizje Vetëvendosje, nuk është në gjendje me u sjellë si një parti politike e matur dhe e pjekur politikisht. I ke deputetët dhe duhet me ardhë me një zgjidhje. Cila është ajo? E kemi një parti që po thotë se nëse propozon kandidat tjetër, ne e votojmë, dhe e shikon a është e rëndësishme për qytetarët me pasë një kryeparlamentare si Haxhiun. Apo një tjetër por që bie zgjidhje më afatgjate”.