Avokati Valdet Hoxha ka thënë se qasja e Qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë është e gabuar.
Sipas tij, vettingu është kthyer në pikën zero dhe se e drejtë do të ishte që “Qeveria ta gjejë një urë bashkëpunimi me KGJK-në që të forcojë mekanizmat ekzistues”.
“Luftën e hapur mes Qeverisë dhe gjyqësorit e kemi parë të gjithë dhe ka qenë qasje e gabuar. Vettingu çfarë është proklamuar në fushatat zgjedhore nuk mund të bëhet si e tillë, atë e ka eliminuar edhe Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai në “Konfront”.
Hoxha ka shtuar se ka nevojë për përmirësime në sistemin e drejtësisë dhe se kjo mund të bëhet me mekanizmat ekzistues vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Drejtësia duhet të ketë kujdes sistematik, ka mekanizma vendorë, ndërkombëtarë, por duhet të kemi parasysh që një ligj i shkruar bukur në Mbretërinë e Bashkuar apo në Itali nuk mund të jetë funksional në masën e dëshiruar në Kosovë. Duhet t’i adaptohet kontekstit shoqëror”.
Jashari: Në demokraci nuk mund të bësh reformë duke i prekur bazamentet e shtetit
Avokati Arbër Jashari ka thënë se në sistemin demokratik nuk mund të bësh reformë në drejtësi duke i prekur bazamentet e shtetit, duke kritikuar qasjen që ka pasur Qeveria për këtë çështje.
Ai ka thënë se liritë individuale, të drejtat civile dhe funksionimi i organeve të pavarura janë shtylla në të cilat nuk mund të kalosh në demokraci.
“Duke marrë të mirëqenë se kanë dasht me bo diçka të re (flet për planet e Qeverisë për reformë në drejtësi v.j.), prapë se prapë nuk i kanë analizu mirë ose i kanë analizu mirë por kanë dashur ta bëjnë për qëllime elektorale. Një fjalë thotë rruga drejt ferrit kalon përmes qëllimeve të mira. Shpesh mundesh me i pas qëllimet e mira, por nëse nuk i gjen mjetet adekuate për me i realizua ato qëllime, mundesh me i bo dëm vendit. Në një sistemin demokratik duhesh me dit se nuk mund të bësh reforma t’u i prek bazamentet e shtetit siç janë liritë individuale, të drejtat civile dhe funksionimi i organeve të pavarura. Nuk mund të kalosh këtu”, ka thënë Jashari në “Konfront”.
Avokati tutje kritikon edhe formën me të cilën Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, ka nisur parafushatën.
“Demokraci nuk mjafton vetëm të kesh shumicën, demokracia është që vërtet e respekton shumicën, shumica vendos por duke respektuar të drejtat e pakicës. Kjo është keqkuptu që në start. Këta akoma thonë se na duhen më shumë vota për të realizuar qëllimet. Nuk bën. Prapë se prapë do të vijmë në qasjen e njëjtë, do ta kemi rezultatin e njëjtë edhe nëse i kanë 60 për qind”, ka thënë ai.
Abazi: Caku i Qeverisë - kapja e Kushtetueses, kryetari i Kuvendit – kukull
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se caku i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti ka qenë kapja e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Abazit, ekzekutivi ka tentuar që përmes armiqësimit të gjuhës me sistemin e drejtësisë të mos shihet tendenca për ta kapur atë.
“Taktikat për tentimin e armiqësimit të gjuhës nga ekzekutivi me sistemin e drejtësisë ka pasur qëllim dy gjëra, për të alarmuar qytetarët në përkrahje dhe përbrenda këtij alarmi të mos shihet tendenca për kapje të drejtësisë. E gjithë agjenda e proklamuar se do të bëjmë reformë në drejtësi, paraqitjen e ministres së Drejtësisë në formën histerike të komunikimit në Këshillin Prokurorial... dhe mos ta harrojmë tentimin për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ky ka qenë caku i këtij ekzekutivi”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka adresuar kritika edhe për kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, për të cilin ka thënë se është kukull.
“Kur flasim për ekzekutiv dhe legjislacion, këtu ka vetëm një njeri të vetëm, Kuvendi nuk është funksional, kryetari i Kuvendit është kukull që vepron dhe lëvizë në bazë të urdhrave që i jep Kurti ose numri dy që është Dejona Mihali. Ky Kuvend ka qenë spektakël, ka shpenzu buxhet për punën që ka bërë, po funksionimi ka qenë plotësisht nën kontrollin e Kurtit. I njëjti qëllim ka qenë për Këshillin Prokurorial, policinë hetimore dhe Kushtetuesen, qoftë edhe me votat e Listës Serbe (siç janë dalë komunikimet)”, ka shtuar Abazi.
Fetahu: Qeveria ka tentuar ta kapë sistemin e drejtësisë dhe në një mënyrë ia ka dalë
Avokati Faton Fetahu ka thënë se Qeveria ka tentuar ta kapë sistemin e drejtësisë, e sipas tij, edhe ia ka dalë ta kapë.
Ai ka thënë se disa nga nismat që Qeveria ka marrë në drejtësi nuk kanë pasur synim avancimin, por tentimin për ta vënë nën kontroll sistemin prokurorial e gjyqësor.
“Qeveria dhe shumica parlamentare ka keqkuptuar rolin e saj kushtetues. Qeveria zgjidhet prej Kuvendit, deputetët zgjedhën nga qytetarët, por kjo nuk nënkupton që ata marrin mandatin për të udhëhequr me drejtësinë. Drejtësia është pushtet i ndarë dhe ekzekutivi, legjislativi dhe drejtësia e bëjnë baraspeshën e njëra-tjetrës. Ka mosnjohje parimore të drejtësisë sepse autoritetin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, kjo Qeveri nuk po e njeh. Qëllimi është kapja e sistemit të drejtësisë. Kanë dhënë prova të mjaftueshme që e provojnë se kapjen kanë tentuar ta bëjnë disa herë dhe në një formë e kanë arritur”, ka thënë ai në "Konfront".
Fetahu ka shtuar se Qeveria nuk ka pasur asnjë rezultat pozitiv në sistemin e drejtësisë gjatë mandatit të saj.
“Tendenca për ta kapur sistemin e drejtësisë në mënyrë eklatante është demonstruar përmes Ligjit për Këshillin Prokurorial, ku Qeveria propozoi një ligj që nënkuptonte që përfaqësuesit e Kuvendit në Këshill Prokurorial, Qeveria propozoi që treshja që shkon nga Kuvendi të ketë fuqi vendimtare pa votën e të cilëve nuk do ketë as kryeprokuror, as prokurorë, as transferime, as degradim, gjë që është problematike për pavarësinë e Këshillit Prokurorial”, ka përfunduar ai.