Ligjëruesi në Universitetin e Adgerit në Norvegji, Abit Hoxha, ka thënë se heshtja e kryeministrit dhe presidentes së Kosovës për sulmin ndaj mediave është aprovim i sulmit.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Hoxha ka thënë se heshtja e kryeinstitucionarëve ndaj këtyre kërcënimeve është problem i madh.
Ai ka kërkuar përkrahjen e tyre për fjalën e lirë.
“Kam bërë thirrje para disa muajsh që edhe kryeministri edhe presidentja të mos rrinë duarkryq kur ka kërcënime ndaj gazetarëve edhe prej lidershipit më të ulët, qoftë prej deputetëve, ministrave apo zëvendësministrave dhe të shprehin përkrahjen e tyre për fjalën e lirë. Ky është problemi kryesor sepse pushteti ka qëndruar i heshtur ndaj këtyre kërcënimeve. Heshtja është aprovim. Unë nuk di si ta interpretoj ndryshe. Kosova ka rënë për 10 vende që historikisht Kosova as në vitin ’99-të nuk ka qenë kaq poshtë në raportin e Reporterëve pa Kufij dhe kjo është për të ardhur keq”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka thënë se sulmi ndaj mediave është sulm ndaj kushtetutshmërisë.
“Kosova për herë të parë bie në rangimin e Raportuesve pa Kufij në mënyrë drastike dhe ky është problem i madh për demokracinë në Kosovë. Sulmi ndaj medias është sulm ndaj kushtetutshmërisë së Kosovës. Secili sulm ndaj medias, qoftë prej ministrave a zëvendësministrave, deputetëve, qoftë direkt apo tërthorazi me këto sarkazmat, me kërcënime të tërthorta, është sulm ndaj kushtetutshmërisë”, ka thënë ai.
Hoxha: Problemi për lajmin e RTK-së, përdorimi i tij nga pushteti kundër mediave tjera
Ligjëruesi në Universitetin e Adgerit në Norvegji, Abit Hoxha, ka thënë se problemi kryesor lidhur me transmetimin e lajmit të Radio Televizionit të Kosovës me akuza ndaj dy portaleve, nuk është mosverifikimi, por përdorimi i atij lajmi nga pushteti kundër mediave tjera.
“Problemi kryesor këtu nuk është se ka kaluar një lajm pa u verifikuar, por problemi është përdorimi i atij lajmi nga pushteti për ta sulmuar median tjetër. Bordi i RTK-së nuk ka ndonjë kompetencë”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Hoxhës, transmetuesi publik do të duhej ta kontaktonte edhe palën që akuzohet para se të publikonte lajm.
“Të dy mediumet kanë adresa, numra të telefonit, të gjithë i njohim dhe nga RTK-ja është dashur të kontaktohen mediumet, si pala që akuzohet, ky është ndoshta gabimi më fatal që është bërë aty”, është shprehur ai.
Hoxha tutje ka thënë se RTK-ja historikisht ka probleme me pjesën e verifikimit të lajmeve.
"Televizioni i Kosovës ka probleme historikisht me pjesën e verifikimit të lajmeve, nga marsi i vitit 2004 kur kanë lëshuar lajme të paverifikuara, ju kujtohet dhuna që është shpërndarë si rezultat i lajmeve. Secili pushtet e ka pasur përdorimin e tij", ka theksuar ai.