Arbëri

Salihu: Abdixhikut i konvenon të presë Osmanin të kthehet në parti

Bekim Salihiu

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka deklaruar se kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i konvenon që të presë në opozitë, në mënyrë që “t’i kthehet Vjosa Osmani në LDK”.

Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se ky mund të jetë shkaku që e Abdixhikun jashtë pushtetit.

“Pse Lumiri mund të presë ose i konvenon të presë është kthimi i Vjosa Osmanit në parti. Pra, kjo mendoj se kjo është përgjigja...Qëndrimi i gjatë në opozitë e lodh partinë pastaj edhe fillon të humbasë elektorat. Kjo është e dokumentuar”, ka thënë Salihu.

Sipas Salihut, në Kosovë çështjet e financave “’s’janë probleme për partitë politike”.

“Në Kosovë duket se këtë problemin financiar s’e kanë pasi kemi parë parti të vogla që kur i kanë paraqitur financat kanë qenë bukur të pasura. Në këtë dimension s’besoj që partitë e kanë problem aspektin financiar”, ka thënë tutje ai.


Drenori: Sundimi i ligjit do të duhej të ishte prioritet për qytetarët

Analisti politik, Xhavit Drenori, ka deklaruar se sundimi i ligjit do të duhej të ishte prioritet për qytetarët e Kosovës, pasi siç tha ai, ndër vite është protestuar kundër kapjes së drejtësisë.

Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se në vitin 2021 ishte një votë ndëshkuese ndaj kapjes së gjyqësorit.

“Në vitin 2021 ka pasur një votë ndëshkuese, e unë besoj se ka qenë pikërisht për shkak të gjyqësorit që ka qenë jo efikas. E kemi quajtur edhe të kapur. Edhe çfarëdo ndryshime që ka bërë Vetëvendosja, shumë pak, pasi shumë prej iniciativave të saj janë ndalë nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Drenori.

Ai ka shtuar se bazuar në prioritetet e qytetarëve, ku e para është zhvillimi ekonomik, është paradoks pasi “nëse s’kemi sundim të ligjit në një vend, problemet e tjera janë zinxhirë”.


Sopi: Opozita s'bën koalicion me VV-në, rrezikojmë zgjedhje të reja

Analisti politik, Agim Sopi, është shprehur se është i bindur që asnjëra prej partive opozitare nuk bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, kjo situatë mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

“Të jeni të bindur se opozita nuk bën koalicion në asnjë mënyrë (me VV-në v.j.). Në asnjë mënyrë, prandaj rrezikojmë zgjedhje të reja. Ajo s’bën as qeveri edhe nëse tërhiqet, shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë Sopi.

Analisti politik foli për “cicërimet” e të dërguarit amerikan, Richard Grenell, ndaj Qeverisë së Kosovës. Ai ka thën se ato nuk ishin drejtuar kundër kryeministrit Albin Kurti, por ndaj PDK-së

“Cicërimet e z.Grenell nuk janë drejtuar z.Kurtit. iu janë drejtuar PDK-së. Saktësisht PDK-së që të jenë të vëmendshëm, sepse një qeveri e tillë s’është e pranueshme për të ardhmen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj z.Hamza ka dalë dhe është prononcuar”, ka thënë Sopi.


Hoxha: AAK-Nisma, opsioni i vetëm i VV-së për koalicion

Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol ka deklaruar se të gjitha partitë politike i ndërrojnë qëndrimet kur iu vjen opsioni për marrjen e postit të presidentit.

Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se vitin e ardhshëm është periudha e “pazareve” mes partive për caktimin e presidentit. Ai ka thënë se një marrëveshje potenciale për qeverinë e re do të ishte mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit AAK-Nisma.

“Neve nuk na duhet edhe s’është mirë një qeveri me 61 deputetë që mundet me i zgjidh problemet. Në vitin e ardhshëm është edhe zgjedhja e presidentit, ku nis bërja e pazareve. Sa i përket prononcimeve, edhe PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, këto premtime e prononcime ndërrohen shpejt. Këto janë vijë e kuqe e përfunduar”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, çështja e presidentit duhet të zgjidhet mes partive.

“Nëse një marrëveshje që cilado parti që potencialisht mund të hyjë në koalicion, i jepet presidenti, brenda 20 minutave prononcimet ndryshojnë. Opsioni i vetëm është AAK-NISMA të hyjnë në koalicion me VV-në, s'ka opsion tjetër”, është shprehur ai.