Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka numëruar si prioritet të Shteteve të Bashkuara mbizotërimin e paqes dhe prosperitetit në rajon. Ai ka shprehur pritjen e shtetit të tij për përfundimin e shpejtë të dialogut dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO. E, emisari britanik për Ballkanin Perëndimor ka ofruar mbështetjen për shtegun e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Thirrje për përmbylljen më të shpejtë të dialogut midis Kosovës e Serbisë dhe për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Traktatit Veriatlantik (NATO) ka adresuar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ai të martën, në Samitin e Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga “The Economist”, në të cilin është diskutuar mbi sigurinë, ekonominë dhe paqen në gjashtëshen ballkanike, e ka kualifikuar si qëllim strategjik të Shteteve të Bashkuara mbizotërimin e paqes në vendet e rajonit. E si dëshmi të përpjekjes për destabilizimin e shteteve në mbarë botën ai e ka përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Pra, ne e mbështesim Kosovën që ta marrë vendin e saj në strukturat dhe kombet euroatlantike dhe për një gjë të tillë lypset punë e madhe përkitazi me dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është mënyra më e mirë për ta arritur atë qëllim, por, po ashtu, që të arrihet që FSK-ja ta përmbushë mandatin e saj dhe që të dëshmojë se është një forcë e ndërveprueshme me NATO-n, një forcë mbrojtëse territoriale. Ne mendojmë, po ashtu, se Kosova duhet të jetë në NATO, dhe kjo është njëra prej mënyrave se si do të arrijë atë”, ka thënë Hovenier.
Në rrafshin e sigurisë rajonale, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Serbia, me rreshtimin përkrah Rusisë, ka treguar se nuk është një demokraci e përnjëmendtë. Sikur të ishte, ai ka thënë se nuk do të përbënte një kërcënim kaq të madh për rajonin.
“Autokratët e kthejnë shpinën ndaj popullit të tyre për ta përqafuar njëri-tjetrin, kjo tendencë e një shfaqjeje sidomos në marrëdhëniet e ngrohta në mes të Rusisë dhe Serbisë. Serbia ende vazhdon të refuzojë bashkimin me sanksione ndaj Putinit dhe oligarkëve të pasur që ndihmojnë këtë shtet. Që nga fillimi i luftës, Beogradi ka mbyllur sytë ndaj agresionit rus, krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut”, është shprehur Kurti.
Në këtë samit Kurti ka folur edhe për të arriturat e qeverisë së tij gjatë këtij mandati.
“Epokës së korrupsionit në shtet dhe pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, progresi ekonomik është përputhur, po ashtu, me avancimin tonë ekonomik... Investimet e huaja direkte janë rritur me 47,6%, ndërsa të ardhurat tatimore me 34%, pa ndryshuar asnjë politikë fiskale. Kemi krijuar mbi 25 mijë vende të reja të punës, ndërsa buxheti i këtij viti është më i madhi në historinë e vendit. Prandaj, demokracia dhe progresi ekonomik shkojnë krah-për-krah... Furnizimi i energjisë që është tkurrur shumë, por edhe çmimet që po rriten shpejt, sidomos për mallrat esenciale për shkak të mosveprimeve dhe neglizhencës të qeverive të kaluara, këto kriza po i godasin qytetarët e Kosovës më shumë sesa në vendet tjera. Për shembull, në dy dekadat e fundit nuk ka pasur mungesë në burimet e reja të gjenerimit të energjisë elektrike e kombinuar në dështimet në riparimet për të mbajtur termocentralet tona aktuale dhe si pasojë Kosova është plotësisht e varur nga importi i energjisë”, ka thënë, mes të tjerash, Kurti.
Ndërsa Donika Gërvalla, ministre e Jashtme, ka thënë se stabilitet dhe paqe në rajon do të gjeneronte njohja reciproke midis Kosovës e Serbisë.
“Dialogu me Serbinë ka të bëjë me njohjen reciproke dhe marrëveshja përfundimtare duhet të jetë kjo. Kjo do t’i ofronte paqe dhe stabilitet gjithë regjionit tonë dhe një të ardhme më të mirë bashkërisht”, ka deklaruar ajo.
Gjatë këtij samiti, emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka ofruar mbështetje për shtegun e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Duhet sa më shumë që Kosovën ta inkurajojmë në rrugën euroatlantike. Britania e Madhe e mbështet çdo gjë që përmban unitet. Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka potencuar ai.
Ish-kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, në këtë samit e ka kritikuar mënyrën se si Bashkimi Evropian po i menaxhon krizat.
“Në këtë botë multipolare Evropa duhet t’i japë përgjigje rolit që vetë Bashkimi Evropian dëshiron ta luajë dhe ka mundësi të luajë, dhe kjo është qenësore, dhe kjo ndoshta e përshkruan relevancën që BE-ja duhet ta ketë. Për çdo gjë që ka në tryezë është e paqartë, çka do që ka në agjendë apo trajtim Bashkimi Evropian është i paqartë, gjithmonë buron ose shtyn tutje vendimet e domosdoshme, dhe kjo në sytë e mi është katastrofike, sepse pjesët e tjera të kësaj bote shumëpolare janë shumë më të vendosura, shumë vendimtare dhe vepruese në drejtimet e tyre dhe për mendimin tim shumë të rrezikshme”, ka thënë ai.
Agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, mungesa e energjisë elektrike, si dhe rritja e çmimeve të mallrave e shërbimeve në rajon dhe në botë ishin tri prej problemeve kryesore të identifikuara në Samit, që u tha se botën po e çojnë drejt një krize.