Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, e ka vlerësuar të mirë, por njëkohësisht të vonuar lajmin për lëshimin e urdhërarrestit për Milan Radoiçiqin.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për Milan Radoiçiqin, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjsk, për “krime lufte kundër popullatës civile”. Ai është në mesin e 20 serbëve ndaj të cilëve është lëshuar urdhëarrest dhe dyshohen se në maj të vitit 1999 kanë vrarë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë.
“Mendoj se jemi vonuar. Natyrisht se është nismë shumë e mirë. Por, kemi me qindra e mijëra kriminelë të tillë si Radoiçiq apo të tjerët, që janë të akuzuar sot, që kanë bërë krimet më makabre që ekzistojnë dhe enden në liri. Kemi individë të caktuar, me emra të ditur, që kanë fshehur trupat e njerëzve. Si shembull, kemi emrat e personave që kanë marrë babanë tim prej institucionit të sigurisë së lartë, që është burgu, dhe ata enden të lirë në Beograd”, ka thënë Hoti në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai ka thënë se nisma të tilla janë të mirëseardhura, por janë të vonuara dhe ka thënë se ka raste kur kriminelët janë liruar për një afat të shkurtër kohor.
Hoti ka thënë se rezultojnë aktualisht 1588 persona të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Ai ka thënë se po insistojnë që të rikthehen gërmimet në Batajnicë, por pala serbe po vazhdon qasjen bllokuese.
Ai ka thënë se shpreson që emisari i ri i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, të ketë prioritet më të madh çështjen e personave të zhdukur.
“Deri tash këtë vit kemi realizuar 4 gërmime në territorin e Kosovës. Kemi plan minimum edhe 11 gërmimë tjera. Sfidat kryesore po janë kur bëhet fjala për territor në Serbi. Kemi bllokadë komplete. Shumica e personave të zhdukur pretendohet se janë në territor të Serbisë...Batajnicën e kemi diskutuar me delegacionin serb në grupe punuese, por e kemi diskutuar edhe në Bruksel. Kemi kërkuar të rikthehemi në Batajnicë. Batajnica së bashku me Petrovo Selo dhe Peruqac janë tri lokacione që janë trajtuar në vitet 2000, 2001 dhe 2002. S’ka pasur gërmime atje qe 22-23 vjte. Kemi kërkuar dy vjet pa ndërpre të rikthehemi në Batajnicë, fatkeqësisht pala serbe vitin e kaluar, kur e patëm si temë prioritet në agjendë, e shtyu për vitin e ardhshëm. Nuk dha shpjegime të mjaftueshme pse nuk duhet të shkojmë. Nuk është në dorën tonë”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka ndëshkuar Serbinë e as nuk e ka kritikuar që nuk mori pjesë në takimi ne thirrur më 15 janar të Komisionit të përbashkët. Po ashtu ai tha se Serbia më 31 janar ndërpreu bashkëpunimin edhe në nivel të ekspertëve.
Sa i përket Sorensenit, Hoti ka thënë se përshtypjet e para janë të mira.
“Vetë faktin se z. Sorensen në vizitën e parë në Kosovë, përveç liderëve në takoi edhe mua si kryetar të Komisionit, tregon se ka prioritet çështjen e personave të zhdukur. Po ashtu është edhe fakti se Sorensen 6 vjet e para pasluftës ishte në Kosovë, dhe e di çështjen. Ai tha se një prej prioriteteve të tij kryesore do të jetë çështja e personave të zhdukur. Nuk dua të akuzojë askënd, por z. Miroslav Lajçak asnjëherë të vetme kur ka ardhur në Kosovë se ka takuar kryetarin e Komisionit. Nuk kam parë një lloj tendence të tij për të vënë prioritet çështjen e personave të zhdukur, e te Sorensen e pash në takimin e parë”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se vazhdimisht në Bruksel po insistojnë që Serbia t’i hapë arkivat.
Ai ka treguar se sipas marrëveshjes në Bruksel është paraparë përdorimi i pajisjes LIDAR, që skanon tokën nga ajri. Ai ka thënë se është bërë skanimi në Kosovë e në Serbi, por derisa Kosova ka dalë me raport për gjetjet, ende nuk ka ndonjë raport nga pala serbe për gjetjet atje.
Hoti ka thënë se bazuar në skenimet Kosova ka trajtuar katër lokacione këtë vit deri më tash, e tri – Dragodani, Istogu e Podujeva – janë në fazën e trajtimit.
“LIDAR ka rezultuar me gjetje të anomalive, e duhet shkuar gërmuar. Minimum kemi 11 lokacione të ardhshme me i përfundu për 3-4 muaj”, tha Hoti.
Andin Hoti ndërkohë ka thënë se kanë filluar të bëhen edhe identifikime me metoda të ADN-së në disa raste ku mund të ketë pasur gabime, shkaku se në kohën kur ishte bërë aplikimi nuk ishte bërë me ADN.
Ai ka thënë se po trajtohet edhe masakra e Burgut të Dubravës në këtë çështje, duke thënë se familjarëve u është kërkuar të japin nga një pikë gjaku.
Ai ka thënë se nuk dëshiron që të mendohet se gjithçka ka shkuar keq, por ku ka dyshime të hiqen ato.
“Me identifikim tradicional, nënkuptoj se një familje e ka marrë trupin bazuar në rroba, letërnjoftim, orë apo ka menduar se është trupi i familjarit. Nuk janë bërë me metoda të ADN-së. E këto identifikime kanë ndodhur gjatë viteve 1999-2002. Prej vitit 2003 ka nisur me metodën shkencore, me ADN. Nuk do të thotë se janë krejt gabim, nuk do të thotë se do të shkojmë krejt me i lutur me i bind me dhënë gjak. Seleksionojmë bazuar në informata që marrim nga faktorë të ndryshëm, nga organizata...Lusim familjet me dhënë një pikë gjaku, se prekim as trupin e asgjë. Përmes gjakut bëhet përputhshmëria e ADN-së me mostrat që veç i kemi në morg. Rastet NN në morg, janë afro 300 mbetje mortore. Nëse rezulton se është bërë gabim, u themi familjarëve se duhet zhvarrosur trupin e shkojmë me procedura tjera. Për këtë i lusim familjarët të kenë mirëkuptim, dhe e kemi mirëkuptimin e tyre, shumë pak ka rezistencë”, ka thënë Hoti.