Arbëri

Hoti: Sorensen ka interesim më të madh se Lajçaku për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka përsëritur thirrjen se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion të vazhdueshëm Serbisë për hapjen e arkivave që mund të lehtësojë procesin drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

Hoti ka thënë se ekipet kanë gërmuar në tri lokacione në Kosovë muajt e fundit, në një prej të cilëve (Podujevë) ka rezultuar me identifikim të një personi. Ndërkaq, në Istog e Dragodan të Prishtinë, ka shtuar se ekipet do të rinisin sërish gërmimet. Por, sipas tij, gërmime po planifikohen edhe në Dubravë.

E, sa i përket gërmimeve në territorin e Serbisë, kjo e fundit vazhdon të pengojë procesin. Hoti ka shtuar se Serbia po refuzon që ekipet e Kosovës të punojnë atje, edhe pse është zotuar përmes një marrëveshjeje që të ndihmojë në këtë proces.

Ai ka shprehur se aktualisht po ka problem me identifikimet tradicionale dhe se mbi 100 familjeve u është marrë gjak.

“Kemi probleme edhe me identifikime tradicionale sepse hasim ndonjëherë në identifikime të gabuara tradicionale dhe kjo ka filluar të shpeshtohet. Supozimet tona i çojnë zyrtarët tanë te familjet të kërkojnë gjak, dhe nuk është i paktë numri që po ndodh që personat  identifikuar tradicionalisht ka qenë gabim. Nuk është numër i madh, por ka raste. Aktualisht ekipet tona po marrin gjak te 112 familje në Kosovë që i kanë identifikuar në mënyrë tradicionale, sot ka ndodhë, dje ka ndodhë. Ka raste, por nuk duhet të shqetësohen familjet”, ka thënë ai.

Hoti është shprehur me shpresë se brenda pak vjetësh të arrihet identifikimi i shumicës së të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

“Shpresoj shumë që në pak-vjetëshin e ardhshëm ne së paku do të arrijmë të zvogëlojmë këtë numër nën 1000. Është e vërtetë që është një numër i caktuar që ndoshta nuk do të gjendet, si hiri ai ndoshta dikur do të vjen ndonjë teknologji që e bën identifikimin, aktualisht nuk ka. Por përveç hirit, janë disa raste ku Serbia ka djegur trupa në furrnaja të ndryshme në Serbi, janë disa raste kur Serbia, me informacionet që i kemi, ka shtruar asfalt me eshtra të njerëzve, dhe ato nuk është se mund t’i gjesh më”, ka thënë ai në Interaktiv. 

Ndërsa, ka theksuar se ka më shumë besim te i dërguari i BE-së, Peter Sorensen, se do të ndihmojë më shumë në këtë çështje se që ka bërë paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak.

“Mendoj se Sorensen ka pasur interesim më të madh se Lajçaku. Është në ngjarje për ndodhitë në Kosovë dhe personat e zhdukur. Me atë që më tha ishte se është marrë me çështjen e personave të zhdukur... Më premtoi se do të merret me seriozitet dhe prioritet”.